Monday, June 15, 2020

“Kthimi i trurit” !

Tri vite më parë një koleg imi, që kishte përfunduar studimet për doktoratë në perëndim, kishte vendosur të kthehet në Kosovë. Ai kishte planifikuar që përvojën e fituar ta bartte në një institucion të Kosovës edhe me gjithë faktin se të gjithë i kishin thënë që në Kosovë pagat janë të ulëta, kushtet e punës janë minimale etj. Kolegu im, ishte i vendosur që të punonte edhe për një pagë prej 200 eurosh, dhe me kushte minimale të punës vetëm e vetëm që të kontribuonte për të mirën e shoqërisë kosovare.

Por çka ndodhi? 

Gjatë gjashtë muajve të qëndrimit të tij në Kosovë, ai nuk kishte lënë derë pa trokitur, nuk kishte lënë institucion në të cilin mendonte të kontribuonte që nuk i kishte ofruar përvojën dhe gatishmërinë e tij për punë. Kishte kontaktuar madje edhe Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetin e Prishtinës dhe shumë institucione tjera. 

Çuditërisht, asnjë nga këto institucione, nuk kishin treguar gatishmërinë që t’i ofronin madje as një vend punë me pagë prej 200 Eurosh.

Kur ma rrëfej këtë ngjarje mbeta shumë i habitur për dy arsye!

E para; vallë, si është e mundur që një doktor shkence i kualifikuar në institucionet  prestigjioz shkencor, që hulumtimet e tij i ka botuar në revistat më të njohura botërore në lëmin e shkencës të mos mundë të gjejë një vend punë me pagë 200 Euro në Kosovë dhe e dyta;  si është e mundur që në të gjitha dokumentet strategjike të të gjitha fushave që janë hartuar tek ne, është thënë se Kosova ka nevojë për kapacitete njerëzore me kualifikim superior, dhe tani kur ofrohet një kuadër i tillë ai injorohet në këtë mënyrë !? 

Por, sigurisht se më shumë se sa unë mbeti i habitur dhe i zhgënjyer kolegu im, i cili pas disa ditësh kishte konkurruar në një projekt hulumtues shkencor në një Institut kërkues amerikan, i cili menjëherë i kishte ofruar kontratë trevjeçare pune me pagë dhjetëra herë me të madhe se në Kosovë dhe kushte qindra herë më të mira.

Jam i bindur se raste sikur ky i kolegut tim, tek ne ka me qindra. Me këtë rast pyetja e parë që më bie ndër mend është; vërtet, Kosovës nuk i duhen këta njerëz?   

E vërteta është se Kosovës si kurrë me parë i duhet kontributi i këtyre njerëzve në ngritjen dhe zhvillimin ekonomik të saj, i duhen këta njerëz për negociatat që do ti zhvillojë për integrime evropiane,  për të zbatuar reformat në Universitetin e Prishtinës (reforma këto që asesi të ecin përpara), për misionet diplomatike nëpër botë, për projekte kapitale zhvillimore...i duhen për gjithçka që ka nevojë një shtet i ri që sapo ka hedhur themelet e ndërtimit.

Nëse deri sot kjo çështje është dukur e parëndësishme dhe është trajtuar si e dorës së dytë, sot është koha që të trajtohet me seriozitetin më të madh. Përkundër faktit se Kryeministri Thaçi, ka bërë një lëvizje të vogël pozitive duke i kyçur disa prej këtyre njerëzve në institucionet tona, Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës duhet të hartojnë një program konkret për mbështetjen dhe kthimin e këtij komuniteti për të kontribuar në Kosovë.

Shembull i freskët për kontributin që mund të japë komuniteti i shkencëtarëve shqiptarë nëpër botë është Konferenca shkencore që u organizua me rastin e takimit të tretë vjetor të Alb-Shkencës, të mbajtur prej 1-3 shtator 2008 në Tiranë.

Kjo konferencë ishte ngjarja më e madhe dhe më masive shkencore e organizuar ndonjëherë në trojet shqiptare, që është koordinuar tërësisht në baza vullnetare, ku barrën kryesore organizative e ka bartur komuniteti shkencorë shqiptarë nëpër botë.

Trendi i “kthimit të trurit”, në fakt është një proces që aplikohet edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Kur jemi të BE-ja, duhet të cekim se viteve të fundit i është dhënë rëndësi jashtëzakonisht e madhe projekteve dhe programeve kërkimore-shkencore, të cilat financohen nga fondet e BE-së, me të vetmin qëllim për të mbajtur shkencëtarët e njohur këtu në Evropë dhe për të ndaluar migrimin e tyre në SHBA.

Jo rastësisht SHBA-të janë vendi nga cili dalin inovacionet më të mëdha në shkencë, për faktin se përmes projekteve dhe programeve hulumtuese thithin shkencëtarët me të njohur nga mbarë bota. Andaj, Evropa duke investuar në kërkime shkencore synon të mbetet në konkurrencë me zhvillimet shkencore në SHBA, Kinë e Japoni të cilat kanë ecur bukur larg në këtë fushë.

“Kthimi i trurit”, është duke u praktikuar edhe në vendet e rajonit, madje edhe Qeveria e Shqipërisë, përmes një programi të quajtur “Brain gain”, që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit dhe që mbështetet nga UNDP-ja, e ka vënë këtë çështje në mesin e prioriteteve të Qeverisë.

Mbes me shpresë që kolegu im në SHBA, bashkë me shumë kolegë të tij, nëse vendosin të kthehen në Kosovë të mos zhgënjehen sërish, por të kenë një mbështetje konkrete dhe një mundësi reale për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të ardhmes së tij.

Është koha e fundit që të bëjmë diçka për “kthimin e trurit” tek “rrënjët e tij”.

Botuar me 10 Shtator 2008 në Gazetën Koha Ditore


No comments:

Post a Comment