Nga: Rizah Hajdari
I keq, i papastër, i ndotur, katastrofal... janë disa nga vlerësimet që
shpesh mund të dëgjohen në komunikime të ndryshme në mes të njerëzve. Asgjë e
keqe në një komunikim normal të dy apo më shumë qytetarëve të thjeshtë të cilët
janë të shqetësuar për cilësinë e mjedisit në të cilin jetojnë. Është e ditur,
e pranuar nga zyrtarët dhe e publikuar nga autoritetet e duhura, Kosova ka
mjaft probleme mjedisore!
Thuhet, realiteti sa do i hidhur që të jetë, është më mi mirë se mashtrimi
i ëmbël, dhe pa mëdyshje realiteti duhet të pranohet, duhet të mirë-njihet. Por
realiteti duhet edhe të interpretohet drejtë, përndryshe, qëllimshëm apo jo,
vlerësimet jo profesionale mund të shkaktojnë cikël “SPIN”.
Mbrëmë (e Diele), në edicionin qendror të lajmeve të RTK, në një kronikë
për mjedisin, u tha dhe u potencua disa herë, “Ndotja e Mjedisit në Kosovë i
kalon për 18 herë standardet e BE-së”. Deklaratë, vërtetë shokuese! Dhe pas
paralajmërimit të parë, po pritja të mësoj se kush e paska zbuluar një
konstatim të tillë. Prita kot, u emitua kronika dhe nuk mësova se kush e kishte
bërë konstatimin, vetëm se munda të dëgjoj prapë në fund të kronikës: “Ndotja e
Mjedisit në Kosovë i kalon për 18 herë standardet e BE-së”!!!