Sunday, April 28, 2024

Media britanike: Saranda qytet mesdhetar i shkëlqyer për pushime

Shqipëria është destinacioni ideal për të gjithë pushuesit që kërkojnë det, rërë dhe mot me diell. Saranda, një qytet bregdetar në jug të vendit i ofron të treja – dhe është jashtëzakonisht i përballueshëm, shkruan e përditshmja britanike “Birmingham Mail”. Qyteti mesdhetar ka një vijë bregdetare mbi 285 milje dhe është i bekuar me 300 ditë me diell në vit. Destinacioni i fshehtë i pushimeve në Rivierën Shqiptare është i njohur për plazhet me rërë, ujërat e pastër dhe atmosferën e qetë. Saranda ndodhet në një gji të hapur në detin Jon dhe ka një klimë mesdhetare, me temperatura maksimale deri në 34 gradë Celsius në korrik dhe gusht, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për pushime në plazh.

Larg bregut të Sarandës, turistët do të kenë mundësi të eksplorojnë Kalanë e Lëkurësit që ofron pamje të mrekullueshme dhe vendin e përsosur për një darkë në muzg në restorantin e kalasë. Gjithashtu, adhuruesit e historisë mund të zbulojnë mbetjet e qytetit antik të Butrintit, një trashëgimi botërore e UNESCO-s. Saranda është gjithashtu qyteti më i afërt me ujërat blu të burimit të Syrit të Kaltër, një fenomen natyror pranë Muzinës.

Pushuesit mund të ecin përgjatë kalimit malor të Llogarasë ose të bëjnë një udhëtim ditor në ishullin e afërt të Ksamilit, i cili shpesh krahasohet me Maldivet. Shëtitorja e qytetit është e mbushur me restorante, dyqane dhe bare dhe turistët britanikë mund të shijojnë pijet lokale me çmime të lira.

Një kafe kushton rreth 200 lekë (ekuivalente me 1,70 paund), një litër birrë vendase është rreth 250 lekë (2,11 paund), ndërsa kostoja për një birrë të vogël të importuar fillon nga rreth 120 lekë (1 paund). Në Sarandë nuk ka ende një aeroport, kështu që mënyra më e shpejtë për të arritur atje është të fluturoni drejt Tiranës dhe më pas të merrni një autobus ose taksi. Fluturimet direkte nga Aeroporti i Birminghamit drejt Aeroportit të Tiranës me kompaninë “Ryanair” kushtojne 12,99 paund.

Burimi: abcnews

No comments:

Post a Comment