Një lajm i shumëpritur për adhuruesit e natyrë në Shqipëri. Përpjekjet disavjeçare të organizatave qeveritare dhe joqeveritare të sektorit të mbrojtjes së natyrës dhe partnerëve ndërkombëtarë u shpërblyen më në fund me shpalljen e ekosistemit natyror detar bregdetar të gjirit të Porto Palermos “Park Natyror” (VKM Nr. 557, dt 29.07.2022). Që prej 2013, Instituti për Konservimin e Natyrës (INCA), me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, filloi studimet e para ekologjike dhe socio-ekonomike në zonë për të identifikuar e dokumentuar vlerat e rëndësishme natyrore dhe shqyrtuar mundësinë e shpalljes së një zone të mbrojtur. Përpjekjet vazhduan me hartimin e planit të menaxhimit dhe atë financiar të zonës si dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për shpalljen e zonës Gjiri i Llamanit-Porto Palermo si zonë e mbrojtur.
INCA në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, dhe partnerë të tjerë realizoi projektin Blu Land, i cili zhvilloi një model inovativ të bashkë-menaxhimit të burimeve detare dhe bregdetare të zonës së Porto Palermos, bazuar në përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve lokale. Shpallja e ekosistemit detar-bregdetar të Porto Palermos si zonë e mbrojtur është lëvizja e duhur drejt arritjes së objektivave globale për ruajtjen e mjedisit detar e bregdetar.
No comments:
Post a Comment