Deputetët në Parlamentin Evropian vendosën sot me shumicë votash për të përcaktuar energjinë bërthamore dhe gazin natyror si energji “të gjelbër”, e cila, siç raportohet nga Washington Post, është një vendim i ndjekur nga afër që mund të formësojë politikën klimatike në vitet në vijim. Në pyetje është kuadri klimatik i njohur si “taksonomia e BE-së”, e cila synon të drejtojë investimet drejt projekteve që janë në përputhje me objektivin e bllokut 27 anëtarësh për të qenë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050. Në shkurt, përpara fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Komisioni Evropian zbuloi një plan për të klasifikuar gazin natyror dhe energjinë bërthamore si investime të gjelbërta “kalimtare” në rrethana të caktuara, duke shkaktuar polemika të ashpra. Pesë muaj më vonë, kriza globale e energjisë u intensifikua, kështu që ligjvënësit evropianë hodhën poshtë kundërshtimet ndaj rregullave të propozuara dhe miratuan propozimin e KE-së me 328 vota “pro” dhe 278 “kundër”.
Reagimi i kritikëve
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kritikëve. “Fishkëllima” u dëgjua në sallë kur u lexua rezultati i votimit në selinë e parlamentit në Strasburg, sipas Washington Post.
Organizata e aktivistëve mjedisorë Greenpeace e quajti vendimin e Parlamentit Evropian “politikë e ndyrë” që do të “sigurojë që më shumë para të rrjedhin në buxhetin e luftës së Putinit”.
Në qendër të debatit ishte çështja nëse termocentralet e gazit dhe ato bërthamore mund të konsiderohen ndonjëherë, në çdo rrethanë, burime të qëndrueshme ose të gjelbërta të energjisë.
Përpara luftës në Ukrainë, përfshirja e gazit në “taksonominë” mbështetej nga vendet anëtare të BE-së, të cilët besonin se kjo energji duhet të shërbente si “urë” në procesin e braktisjes së karburanteve fosile dhe rritjes së kapaciteteve të tyre të energjisë së rinovueshme.
Franca dhe të tjerët kanë kërkuar që energjia bërthamore të etiketohet “e gjelbër”, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Gjermania.
Shqetësimet për nxitjen e investimeve në lëndët djegëse fosile
Jo vetëm ambientalistët, por edhe disa këshilltarë të BE-së dhe madje edhe shefi ekzekutiv i një grupi që përfaqësonte investitorë të mëdhenj folën kundër propozimit të KE.
Kritikët deklaruan se përpjekjet e Komisionit Evropian për të “mbrojtur investitorët privatë nga greenwashing”, pra reklamimi i rremë i produkteve apo projekteve si ekologjike për të fituar një avantazh tregu, rrezikojnë të kthehen në greenwashing në një shkallë edhe më të madhe.
Kundërshtarët e përfshirjes së gazit dhe energjisë bërthamore në “taksonominë” kanë shprehur shqetësimin se kjo do të inkurajojë investime të mëtejshme në lëndët djegëse fosile dhe do të vonojë kalimin e BE-së në energjinë e rinovueshme.
“Ky vendim i Parlamentit Evropian do të vonojë tranzicionin dëshpërimisht të nevojshëm, realisht të qëndrueshëm dhe do të thellojë varësinë tonë nga karburantet ruse. Kjo hipokrizi është mahnitëse, por fatkeqësisht jo befasuese”, shkroi sot në Twitter aktivistja për klimën dhe mjedisin, Greta Tunberg, raporton Washington Post.
No comments:
Post a Comment