Ndërsa qytetet në mbarë botën përpiqen të gjejnë mënyra më të gjelbra jetese, një kryeqytet evropian tashmë po udhëheq rrugën në garën për qëndrueshmëri. Talini, kryeqyteti i Estonisë dhe qyteti më verior i qyteteve baltike, ka zbatuar një sërë ndryshimesh drastike për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050. Këto strategji u vlerësuan nga Komisioni Evropian vitin e kaluar, ku qyteti u emërua Kryeqyteti i Gjelbër Evropian për vitin 2023. Por me gjithnjë e më shumë metropole që përpiqen të reduktojnë gjurmët e tyre të karbonit, çfarë mund të mësojmë nga qasja moderne e Talinit ndaj qëndrueshmërisë?
Kryesorja ndër këto veprime është përkushtimi i qytetit për të ofruar hapësira të gjelbra të bollshme për banorët e tij. Rrjeti i parqeve të Talinit tani arrin në 90 m2, duke përbërë 19.5 për qind të tokës totale të qytetit. Kjo është në kontrast me vetëm 9.5 për qind në Paris.
Një studim i kohëve të fundit sugjeron se qytetet e Evropës mund të parandalojnë deri në 43.000 vdekje të parakohshme në vit nëse ofrojnë hapësirë të përshtatshme të gjelbër për banorët.
Dhe ndërsa popullsia e Talinit vazhdon të rritet, kryeqyteti tani ka më shumë se 445.000 banorë, sipas shifrave të fundit një numër projektesh kyçe janë vendosur për të siguruar që qëndrueshmëria të mbetet në qendër të kësaj rritjeje.
Qyteti po inkurajon parqet, kopshtet dhe rezervatet natyrore në përpjekje për të lehtësuar pllenimin e insekteve. “Përpjekja për të zgjeruar mundësitë e pllenimit të insekteve gjithashtu tërheq më shumë njerëz që të përdorin ‘autostradën e pllenimit’ si një korridor i gjelbër që kalon mes 6 distrikteve”, thotë kopshtari dhe arkitekti Liivi Maekallas.
Autostrada me gjatësi 13 kilometra është një tjetër shembull që tregon se si nxiten qytetarët që të heqin dorë nga përdorimi i automjeteve dhe të adoptojnë mënyra transporti më miqësore me natyrën.
Qyteti tërhoqi vëmendjen në 2013, ku vendosi t’u ofronte transport publik falas rezidentëve, një tregues kyç në udhëtimin e qytetit drejt arritjes së një reduktimi prej 40 për qind të emetimeve deri në vitin 2030.
No comments:
Post a Comment