Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike që u mbajt në Glasgow u konsiderua si jetike për shkurtimin e gazeve të dëmshme për planetin. I krijuar para 70 viteve, rezervati i parë kombëtar natyror në Mbretërinë e Bashkuar po shikon drejt së ardhmes, duke mbjellë mijëra pemë për t’u mbrojtur nga ndryshimet klimatike. Ky pyll i lashtë me pisha në Kaledoni ekziston prej mijëra vitesh. Në vitin 1951 autoritetet e shpallën “Beinn Eighe” në malësinë Skoceze si rezervatin e parë kombëtar natyror të Mbretërisë së Bashkuar, duke mbrojtur këta gjigantë të lashtësisë. “Beinn Eighe” është një masiv malesh të mbrojtura nga shteti.
“Gjatë 70 viteve të fundit, qëllimi ynë
kryesor është që të ndërlidhim së bashku këto fragmente të pyjeve shekullore
dhe të përpiqemi të zgjerojmë tokën pyjore sa më shumë që të jetë e mundur”,
thotë Ian Sargen, menaxher i rezervateve natyrore me agjencinë qeveritare
NatureScot, që mbron trashëgiminë natyrore të Skocisë.
Disa nga pishat në masivin “Beinn Eighe” janë
më shumë se 350 vjeçare dhe studiuesit thonë se përbërja e tyre gjenetike është
gjithashtu e dallueshme.
Hulumtimet kanë treguar që pas epokës së
fundit të akullnajave, pishat në masivin “Beinn Eighe” janë përhapur përmes një
rruge tjetër tek pishat në pjesë të tjera të Skocisë. Studimet e fundit
shkencore tregojnë se pishat kanë një larmi gjenetike të rrallë. Në vitin 2019,
kjo zonë u deklarua si njësia e parë në Mbretërinë e Bashkuar për Mbrojtjen
Gjenetike.
“Është shumë e rëndësishme që të mbledhim të
gjitha farat nga rezervati lokal natyror për të ruajtur qëndrueshmërinë
gjenetike ose larminë gjenetike të kësaj zone specifike. Ana gjenetike e
pishave është pak më e ndryshme, ndaj kjo është arsyeja që duam të mbledhim të
gjitha farat këtu për të ruajtur të veçantën e saj”, thotë Sargent.
Agjencia qeveritare skoceze NatureScot thotë
se masivet e çmuara pyjore thithin çdo vit më shumë se 30 mijë ton gaze të
dëmshme të shkaktuara nga efekti serë. Kjo sasi është e barabartë me heqjen nga
përdorimi të 100 mijë automjeteve në vit, thotë NatyreScot.
Një studim i publikuar në fillim të shkurtit
të këtij viti, paralajmëron për mundësinë e përballjes me rrezikun që
shkaktojnë thatësirat ekstreme gjatë 20 viteve të ardhshme, si rezultat i
ndryshimeve klimatike. “Ndërsa në të kaluarën kishim ndoshta një thatësirë ekstreme
çdo 20 vite, tani ka të ngjarë që thatësira ekstreme të përsëritet çdo tre
vjet”, thotë Fairlie Kirkpatrick Baird, i cili drejtoi hulumtimet.
Studiuesit thonë se gjetjet e tyre mund të
ndihmojnë autoritetet të drejtojnë metodat e zbutjes së efekteve dhe të
përmirësojnë qëndrueshmërinë ndaj situatave ekstreme të motit.
No comments:
Post a Comment