Sipas studimit më të fundit të NASA, përmbytjet siç kemi parë ditët e fundit në një pjesë të Europës, do të jenë një problem edhe më i madh në të ardhmen e afërt. Ekspertët e NASA-s paralajmërojnë se qytetet bregdetare do të përballen në të ardhme me përmbytje edhe më të mëdha, duke nisur nga viti 2030. Por parashikimi shtrihet në total për 70 vitet e ardhshme. Studimi, nën titullin “Rritja e shpejtë dhe parashikimi ekstrem për përmbytjet” flet për nivelin e deteve në qytetet bregdetare amerikane por vlen për të gjithë botën. “Në dekadat e ardhshme, niveli i deteve që do të vijojë të rritet për shkak të ngrohjes globale, do të shkaktojë përmbytje të mëdha. Dhe ajo çka ne kemi zbuluar është se rreziku nga përmbytjet do të jetë vërtet i madh, kryesisht në dekadën e ardhshme, pra nga viti 2030 deri në 2040”, thotë Ben Hamlington, nga NASA.
“E dimë se rritja e nivelit të deteve është një problem por në të ardhmen do jetë një problem edhe më i madh. Ne kemi bërë projeksionet tona për nivelin e deteve deri në vitin 2100. Ajo çka kemi konstatuar është një rritje dramatike e nivelit të deteve dhe impaktit që kjo do të ketë, kryesisht në qytetet bregdetare në dekadën e ardhshme. Do të ketë shumë përmbytje. Do të na duhet të mësojnë të jetojmë me këtë fenomen, të adaptohemi e të marrim masat, kjo do të jetë pjesë e jetës, flas gjithnjë për komunitetet që jetojnë në zona bregdetare.”
Sipas NASA-s, shkaktar për këtë situatë është edhe ajo që njihet si “Lëkundja e hënës” apo cikli i rregullt hënor.
“E dimë se rritja e nivelit të deteve vjen për shkak të ngrohjes globale. Por kemi shqyrtuar edhe faktorët e tjerë dhe jemi fokusuar tek një prej tyre në vecanti. Bëhet fjalë për atë që ne e quajmë “cikli nyjor”, që është orientimi apo lidhja e hënës me tokën dhe afërsia mes tyre, që ndryshon vit pas viti.”
Ekspertët kanë një sugjerim. Në pritje të përshtatjes me një stil krejt tjetër jetese, ata sugjerojnë arkitektët, urbanistët dhe autoritetet qëndrore dhe vendore, që të hartojnë plane urbanistike, për të përballuar katastrofa të tilla natyrore, që mesa duket nga dekada e ardhshme, do të jenë më të shpeshta. Sipas ekipit që hartoi studimin, zonat që do të përballen më shumë me fenomenin e stuhive dhe përmbytjeve janë ato aziatike.
No comments:
Post a Comment