Nga: Rizah Hajdari,
ekspert i mjedisit
Në përditshmërinë tonë, në hasim mjaft shpesh termin diversitet. Shumë nga ne e përdorim atë, të tjerë e dëgjojnë, të tjerë e shfrytëzojnë atë për të treguar mburrje se njohin një term dhe se kanë fjalor të pasur, të tjerë e përdorin për të përfituar, të tjerë për të dhënë donacione, të tjerë për qëllime shkencore. Normalisht është një term ndërkombëtar, i cili përdoret në shumë fusha dhe nëpërmes të cilit zakonisht pretendohet promovimi i vlerave të caktuara. Globalistët, integralistët, institucionalistet, moralistet… përdorin këtë term në përpjekjet e tyre për të adresuar, mbrojtur apo kritikuar interesat e ideologjike, kulturore, politike etj. Ndër faktet e anti-globalistëve përmendet edhe humbja, degradimi dhe asimilimi i vlerave të caktuara të grupeve të caktuara etnike. Megjithatë, Planeti Tokë, po zvogëlohet, po rrafshohet, po bëhet i zhurmshëm, po përzihet, e në këtë proces të intensifikimit të komunikimit, qarkullimit të lirë të njerëzve e të mallrave, të rritjeve demografike, të zhvillimit ekonomik të vendeve në zhvillim, të internetit, gjithsesi që nuk është e lehtë që kombet, shtetet, grupet e caktuara etnike a ideologjike të ruajnë dhe të praktikojnë vlerat e tyre tradicionale. Është e mirë apo e keqe humbja e diverzitetit kulturor, etnik, ideologjik, mundë të jetë një temë e nxehtë për debate, por sido që të jetë, askush tjetër është shkaktar i këtyre ndryshimeve, veç faktorit njeri.
Në këtë lëmsh, është një term thirrës, është termi BIODIVERZITET i cili reflekton një nocion mjaft konkret, mjaft domethënës, të paikshem dhe të pashmangshëm, të qenësishëm, reflekton qenien tonë biologjike.
Dhe, për aq sa është i rëndësishëm biodiversiteti, me 1992, si asnjëherë më parë u tubuan liderët e të gjitha vendet e botës në Rio de Janiero, Brazil në konferencën për Mjedis dhe Zhvillim organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Në këtë takim, ndryshe të cilësuar si “Samiti i Tokës” u promovua Konventa për Diversitetin Biologjik e cila është ratifikuar nga më së 175 shtete. Kjo konventë ka tri qëllime kryesore: konservimi i biodiverzitetit, shfrytëzimi i qëndrueshëm i komponentëve të biodiversitetit, dhe ndarja e barabartë e të mirave të biodiversitetit.
Sipas konventës, biodiversiteti shpreh larminë,
shumëllojshmërinë e llojeve bimore dhe shtazore, larminë e jetës në tokë, larminë
e formave jetësorë, ndryshueshmërinë gjenetike, ndryshueshmërinë e ekosistemeve
e deri te ndryshueshmëria në ndërveprimin ndaj faktorëve jetësor: Ajrit, Dritës,
Ujit, Dheut! Deri më tani, në nivel botëror janë identifikuar rreth 1.75 milion
lloje, shkencëtarët mendojnë se duke përfshirë, insekte, bakterie etj sot në
botë ekzistojnë rreth 13 milion lloje, llogari të tjera vlerësojnë se në botë
ekzistojnë në mes 3 deri 100 milion lloje (CBD)
Pse duhet të ruhet biodiversiteti? - Sepse është vet jeta, është rrënja e të gjitha diversiteteve të tjera që shoqëria njerëzore I çmon si vlera, sepse thjesht ne (njerëzit) nuk mund të jetojmë pa të, e ai mundet pa neve!
Së paku 40% e ekonomisë botërore dhe rreth 80% e nevojave të njerëzve sot varen nga resurset biologjike; identiteti jonë kulturor është ngushtë i lidhur me biodiversitetin (mendo një shqiponjë në flamurin kombëtar), bakteriet dhe mikroorganizma të tjerë mundësojnë dekompozimin e materieve, dhe krijimin e dheut; rreth 130 miliard tona metrik të mbeturinave organike përpunohet (dekompozohet) ç’do vit nga organizmat biologjik; stabilizimi i klimës, ruajtja nga vërshimet, nga thatësirat, ruajtja e kualitetit të ujit dhe të ajrit, zbutja e fatkeqësive natyrore; prodhimi i ushqimit, vetëm peshk shfrytëzohen mesatarisht 100 milion tona metrik në vit, paramendoni ushqimet tjera; rëndësia për ilaçet,…, Për ju që nuk pajtoheni imagjinojeni botën si një shkretëtirë!
Në anën tjetër, biodiversiteti është i kërcënuar.
Resurset biologjike po shfrytëzohen në mënyrë të pakontrolluar, ekosistemet po
fragmentohen apo po shkatërrohen, lloje të shumta po zhduken, balanca ekologjike
është vënë në rrezik.
Sot njerëzimi është duke shkaktuar zhdukjen
më të madhe të llojeve që nga zhdukja natyrore e dinozaurëve 65 milion vite më
parë. Sot vlerësohet se janë kërcënuar nga zhdukja ç’do i teti lloj bimor, ç’do
i treti lloj i shpendëve, ç’do i katërti lloj i gjitarëve dhe i reptilëve
(IUCN)
Biodiversiteti në Kosovë
Në literaturën Kosovare, mund të lexosh
shpesh se “Kosova edhe pse një vend me sipërfaqe të vogël, është një vend shumë
i pasur me biodiversitet”. E besueshme, sidomos kur merret parasysh se Kosova
karakterizohet me masive të mrekullueshme malore siç janë Malet e Sharrit, Bjeshkët
e Nemuna, Koritniku, Pashtriku etj. Dhe duke ju falënderuar këtij
konfiguracioni gjeografik, Kosova ka numër të madh të llojeve. Sipas studimeve
të deritashme, në Kosovë janë identifikuar rreth 1800 lloje bimore ku 200 prej
tyre janë me karakter endemik, ndërkaq llogaritet se sot në Kosovë jetojnë 150
lloje të kurrizorëve, 150 lloje të fluturave, 500 taksone të makrozoobentosit,
ndërkaq që nuk ka të dhëna të plota për llojet tjera.
Nga kjo, mund të kuptohet se termi
biodiversitet në Kosovë nuk është i panjohur. Kosova ka një ligj për natyrën i
cili pak a shumë e konsideron biodiversitetin, në kuadër të MMPH ka një njësi e
cila është përgjegjëse për natyrën dhe të paktën formalisht ka një Institut për
Mbrojtjen e Natyrës i cili funksionon në kuadër të Agjencisë së Kosovës për
Mbrojtjen e Mjedisit. Duke marrë parasysh së në nivel të Bashkimit Evropian ka
një Direktivë për Zogjtë, ka një Direktivë për Habitatet dhe ka rregullore e
udhëzime të tjera të rëndësishme për biodiversitetin, duhet besuar se në kuadrin
institucional dhe ligjor, Kosova patjetër se do të duhet që të shtoj angazhimet
e saj drejt përmbushje së obligimeve Evropiane dhe Botërore.
Edhe në institucionet arsimore, termi Biodiversitet nuk është i panjohur. Të paktën në FSHM, ekziston lënda e caktuar e cila merret ekskluzivisht me biodiversitet. Fatkeqësia është se në terren gjërat nuk shkojnë në favor të biodiversitetit. Sot pak ose fare, kryhen studime të mirëfillta për biodiversitetin, sot ende nuk kemi një strategji apo plan veprimi për menaxhimin biodioversitetit, sot ende nuk kemi inventar të plotë të llojeve bimore e shtazore, ende nuk kemi një listë të kuqe të llojeve, sot askush nuk mund të konfirmoj nëse ende ekziston Rrëqebulli në Kosovë apo jo, e në ndërkohë vazhdon shkatërrimi i ekosistemeve natyrore!
Jo për hir të BE-së, jo për hir të Konventës për Biodiversitet, jo për hir të shkencës as të flamurit, biodiversiteti duhet të ruhet, sepse ai është fryma, ushqimi, është jeta… Për ju që nuk pajtoheni imagjinojeni Kosovën Shkretëtirë!
No comments:
Post a Comment