Saturday, July 11, 2020

Procesi i kapjes së Dyoksidit të Karbonit!

Shumica e shkencëtarëve janë dakord se rritja e sasisë së dioksidit të karbonit në atmosferë është duke kontribuar në ndryshimin e klimës, që mund të ketë efekte katastrofike. Por procesi i eliminimit  të dioksidit të karbonit nga gazet industriale që çlirohen në atmosferë është i komplikuar dhe i kushtueshëm. Por një ekip në Norvegji po punon që këtë proces ta bëjë më të lehtë dhe me një kosto më të ulët.

Pavarësisht nga përparimet e vazhdueshme në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, energjia me koston më të ulët ende prodhohet nga fosilet, si qymyri, nafta dhe gazi natyror.

Por, meqë djegia e këtyre lëndëve çliron sasi të mëdha të dioksidit të karbonit, shkencëtarët po përpiqen të gjejnë metodat më të efektshme dhe me kosto më të ulët për kapjen dhe magazinimin e gazeve të dëmshëm të çliruara në atmosferë.

Qendra Teknologjike në Mongstad të Norvegjisë, ose TCM, është objekti më i madh në botë për testimin e teknologjive të reja në shkallë industriale.

Kreu i saj, Tore Amundsen thotë se, që nga fillimi i punës në vitin 2012, uzina që ka kushtuar 1 miliardë dollarë ka prodhuar njohuri të vlefshme.

“Ne kemi mësuar mbi përzgjedhjen e materialeve, modelet e projektimit, që janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme përmes këtyre testeve, dhe kemi mësuar shumë për operacionet e një objekti mjaft të madh”.

Zoti Amundsen thotë se mund të mësohen gjëra të tjera në lidhje me funksionimin e një uzine të madhe që merret me kapjen e dioksidit të karbonit nga termocentralet:

“Gjëra të thjeshta, si hapja e një objekti të tillë, mënyrat e ndryshme të operimit të tij, dhe mbyllja e objektit. Gjëra të thjeshta si këto, me të cilat më parë nuk kishim përvojë”.

TCM është e lidhur me një termocentral aty pranë, si një burim i çlirimit të gazeve të cilat trajtohen me kimikate të ndryshme:

“Lëndët pastruese thithin molekulat e dioksidit të karbonit nga gazi i çliruar, lënda e re kalon në temperatura të larta për të veçuar dioksidin e karbonit dhe më pas ajo ripërdoret për të kapur sasi të tjera dioksidi  karboni”.

Qëllimi është kapja e 90 përqind të dioksidit të karbonit. Zoti Amundsen thotë se procesi është ende i kushtueshëm.

“Nëse kjo teknologji aplikohet në një termocentral, kostoja e energjisë do të rritej 30 deri 40 përqind”.

Zgjidhja më e mirë për magazinimin e gazit të kapur është pompimi i tij në zgavrat nëntokësore të lëna pas nxjerrjes së naftës ose gazit natyror, ku këto sasi gazi mund të qëndrojnë përgjithmonë.

Qendra Teknologjike Mongstad nuk e pompon në nëntokë dioksidin e karbonit që ajo e kap. Në vend të kësaj, ajo e çliron atë në atmosferë.

Zoti Amundsen thotë se kjo teknologji tani është e përballueshme vetëm për vendet e zhvilluara industriale. Deri tani vetëm Kanadaja ka një termocentral të madh me qymyr  që e pompon gazin e dëmshëm nëntokë.  Vende të tjera janë duke ndërtuar centrale të ngjashme.


No comments:

Post a Comment