Saturday, June 13, 2020

Kosova dhe Ndryshimet Klimatike!

Nga Afrim Berisha

Fillimi i punimeve të Konferencës së OKB-së për ndryshimet klimatike në Kopenhagë padyshim se është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2009.

Fakti se në konferencë do të marrin pjesë diplomatë të lartë nga 192 vendet më me ndikim të botës dhe se punimet e konferencës po ndiqen me vëmendje të posaçme nga mediumet më të fuqishme botërore tregon për rendësin që ka arritja e një marrëveshje në këtë konferencë.

Madje ka edhe vlerësime të atilla të cilat këtë konferencë e konsiderojnë si mundësinë e vetme dhe më të mirën për të mbrojtur planetin nga ndryshimet klimatike, duke e vënë këtë ngjarje në krye të prioritete të politikës globale.

Ka edhe vlerësime tjera të cilat ndryshimet klimatike, krahas terrorizmit i konsiderojnë sfidën më të madhe të njerëzimit për të ardhmen. Andaj, në përpjekjet për gjetjen e mënyrave të zvogëlimit të gazrave me efekt të serrës dhe faktorëve tjerë që kanë ndikim në ndryshimet klimatike sot krahas ambientalistëve janë bashkuar jo vetëm shkencëtarët dhe institutet kërkimore shkencore por edhe diplomatët dhe organizatat më të mëdha botërore.

Pra është e qartë se ndryshimet klimatike, sot paraqesin një sfidë të përmasave globale, e cila kërkon përpjekjen dhe bashkëpunimin e të gjithë vendeve të botës pavarësisht nga kontributi që kanë në lirimin e gazeve serrë në atmosferë, kërkon veprime urgjente në parandalimin e faktorëve të ndryshimeve klimatike, sepse ndikimi i tyre ne ekzistencën e planetit tone dhe ekzistencën e njerëzimit është gjithnjë e më evident. 

Aq më tepër për çdo ditë e më shumë të gjithë ne jemi dëshmitarë  të ndryshimeve klimatike gjithnjë e më të theksuara që po ndodhin në planetin tonë. Shkrirja e akullnajave, rritja e thatësisë, tharja e pyjeve, uraganet, vërshimeve dhe katastrofave tjera natyrore, janë vetëm disa prej ndryshimeve globale klimatike që tani më janë të dukshme në çdo pjesë të botës. 

Pra është fakt i pamohueshëm së përkundër dilemave dhe teorive të ndryshme ndryshimet klimatike janë duke ndodhur.

Çuditërisht, për dallim nga e gjithë bota kjo çështje në Kosovë, po kalon dhe po trajtohet si një ngjarje pak e rëndësishme. Andaj detyrimisht shtrohet pyetje: A mundet Kosova të qëndrojë indiferente ndaj ndryshimeve klimatike? 


Të gjithë e kemi të qartë se ndër prioritetet kryesore të Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, andaj domosdo edhe qëndrimi i BE-së në Konferencën e Kopenhagës do të ketë ndikim edhe për Kosovën.

Sipas rrjedhave dhe negociatave që kanë ndodhur para fillimit të konferencës pritet që Bashkimi Evropian, nga Konferenca e Kopenhagës të merr obligime në uljen e emetimeve të gazrave të serrës prej 20-30 % deri në vitin 2020.

Madje orientimet e Bashkimit Evropian janë të atilla që reduktimi i gazrave të serrës të arrijë deri në  90 % deri në vitin 2050. Po ashtu pritet që BE-ja të del me qëndrimin që edhe vendet e varfra të ngadalësojnë emetimin e gazrave të serrës.

Ky qëndrim i Bashkimit Evropian patjetër që do të ketë implikime edhe për vendet kandidate dhe kandidate potenciale për integrim në Bashkimin Evropian ku bënë pjesë edhe Kosova.

Është e ditur se Kosova për shkak të statusit të saj nuk mundë te jetë nënshkruese e marrëveshjeve ndërkombëtare për ndryshimet klimatike, por në procesin e integrimeve evropiane ajo do të detyrohet ti përmbush obligimet nga legjislacioni evropian për limitimin e gazrave të serrës e sidomos limitimin e gazrave të serrës nga impiantet me djegie të resurseve energjetike fosile.

Situata bëhet edhe më e vështirë kur e marrin parasysh faktin se prodhimi aktual i energjisë në Kosovë është i orientuar diku 98 % në prodhimin e energjisë nga linjiti, dhe po ashtu edhe planet strategjike për shtimin e kapaciteteve të reja energjetike janë të orientuara në prodhimin e energjisë nga linjiti.

Një fakt tjetër që po ashtu duhet të jetë brengosës për Kosovën është edhe korniza aktuale ligjore, strategjike dhe institucionale e Kosovës në raport me ndryshimet klimatike.

Në kuadër të institucioneve mjedisore në Kosovë, ende nuk ka një sektorë të veçantë për ndryshimet klimatike. Në kuadër të legjislacionit mjedisor Kosova nuk ka ligj të veçantë për ndryshimet klimatike por kjo çështje pjesërisht rregullohet me ligjet tjera sikur janë Ligji për mbrojtjen e mjedisit, Ligji i ajrit, Ligji për IPPC etj.

Kosova po ashtu ende nuk ka Strategji dhe Plan të Veprimit për zvogëlimin e ndryshimeve klimatike. Pra në planin e përgjithshëm nacional Kosova duhet të ndërmarrë masa konkrete ligjore, institucionale dhe strategjike për të adaptuar nevojat në raport me ndryshimet klimatike.

Por pavarësisht kësaj, duhet të theksohet se veprime në zvogëlimin e ndryshimeve klimatike mundë të ndërmerren edhe individualisht. Kështu për shembull nëse secili nga ne zbret temperaturën ne shtëpi për 1 grade C, do te zvogëloj emetimin e CO2 për 300 kg ne vit, nëse secila nga ne do te përdorte ftohësit me shenje A+, do te zvogëlonte emetimin CO2 për 210 kg ne vit dhe nëse secili nga ne do te mbillte një dru, do te kontribuonte ne uljen e sasisë se CO2 për një ton (t), për periudhën sa mundet te thithe CO2 një dru  gjate jetës se tij.

Ne uljes  e sasisë se gazrave të serrës me ndikim në ngrohjen globale ne si shoqëri mundë të ndërmarrim shumë veprime konkrete.  Kështu duke kursyer energjinë elektrike, duke favorizuar përdorimin e transportit publik, duke larguar nga qarkullimi veturat e vjetra, duke përmirësuar  menaxhimin e mbeturinave, duke mbrojtur pyjet, duke ripyllëzuar sipërfaqet e zhveshura, duke zgjeruar sipërfaqet e mbrojtura edhe ne mundë të bëhemi pjesë e përpjekjeve globale për të parandaluar ndryshimet klimatike.

Përfundimisht, Konferenca e Kopenhagës për Ndryshimet Klimatike është një ngjarje shumë e rëndësishëm për të ardhmen dhe ruajtjen e planetit tokë, pjesë e të cilit jemi edhe ne.

Andaj, me këtë rast dua të rikujtojë edhe njëherë se ne si gjeneratë e kemi për obligim të ju lëmë në trashëgim gjeneratave pasardhëse një planet po aq të shëndoshe sikurse e kemi trashëguar nga gjeneratat paraardhëse.

Me rastin e Konferencës së OKB-së për ndryshimet klimatike në Kopenhagë, Botuar me 9.12.2009 në Gazetën Express

No comments:

Post a Comment