Nga Afrim Berisha
Si në asnjë sektor tjetër zhvillimorë, sektori i mbrojtjes së
mjedisit është vërshuar nga ngatërrime të koncepteve
dhe terminologjive që i atribuohen atij. Gjatë fjalimeve,
deklarimeve, prezantimeve e referime nga zyrtarë
institucionesh mjedisore qeveritare dhe joqeveritare e
besa edhe nga ekspertë të mjedisit, të rastis të dëgjosh
terme, nocione e koncepte që janë përdorur në mënyrë
të gabuar apo edhe jashtë kontestit të çështjes për të
cilën flitet.
Të njëjtat “ngatërrime” i gjejmë edhe si pjesë të gjuhës
mediale e informative nëpër mediumet tona të shkruara e elektronike kur flitet për mbrojtjen e mjedisit e në raste
të rralla edhe si pjesë e dokumenteve zyrtare dhe jo
zyrtare në lëmin e mjedisit.
Përmes këtij opinioni do të përpiqem të vë në pah vetëm
disa nga këto “ngatërrime”, jo për të “edukuar” ata që i
përdorin këto, por më tepër për të evidentuar këtë si
çështje që ka nevojë të analizohet dhe trajtohet më me
kujdes, për të ngritur nivelin e përgjegjësisë kur janë në
pyetje deklarimet publike si dhe për të paralajmëruar
mundësinë e pasojave që sjellin ato.
Të fillojmë nga e para.
Edhe pse termi “mjedis”, është kuptim shumë gjithëpërfshirës dhe domethënës dhe që e ka rrënjën nga gjuha shqipe, të ndodhë që atij ti referohen ende me termin “ambient”, që është një term i huazuar nga gjuha italiane. Në disa raste tjera duke dashur ti referohen mbrojtjes së mjedisit përdoret termi “Ekologji”, që ka një kuptim krejtësisht tjetër dhe që i referohet një dege të Biologjisë që studion marrëdhëniet e organizmave me njëri-tjetrin dhe me mjedisin që i rrethon përkundër termit “mjedis” që paraqet tërësinë e rrethanave apo kushteve fizike, kimike dhe natyrore dhe ndërveprimin në mes tyre.
Tutje, kur janë në pyetje referimet në sektorin e të ajrit,
të ndodhë që të gjesh ngatërrime të çështjeve që e kanë
të bëjnë me cilësinë e ajrit dhe çështjeve që kanë të bëjnë
me shkarkimet në ajër nga burimet e ndryshme apo
sikur janë të njohura ndryshe emisionet në ajër.
Shpeshherë duke folur për cilësinë e ajrit, zyrtarë e
ekspertë të profileve të ndryshme i referohen
shkarkimeve në ajër apo edhe anasjelltas. Për të nënvizuar dallimin në mes tyre, më duhet të sqarojë që
me cilësi të ajrit kuptojmë: “gjendja e ajrit në mjedisin
përreth nesh në kuptimin e përbërësve të ndotësve,
grimcave të pluhurit dhe sasinë e tyre që ndodhen në
të”, kurse me shkarkime në ajër kuptojmë: “gazrat dhe
substancat tjera që shkarkohen dhe emitohen në ajër nga
burimet e ndryshme”.
Madje këtu, ka edhe ngatërrime edhe sa i përket
normave, standardeve, parametrave, frekuencës se
matjeve dhe shkallës së tejkalimeve.
Kështu, të gjithëve ju ka ndodhur të dëgjoni në media
informacionin e cituar nga burime të ndryshme se “në
Prishtinë ndotja e ajrit i tejkalon deri në 6 herë normat e
lejuara”. Duke mos precizuar këtu se kujt i referohej ky
“ 6 herë”, cilit parametër (NOx, SO2, PM10, PM2.5)
cilave tejkalime (ditore, mujore, vjetore), në çfarë
kuptimi (te frekuencës, të shkallës, apo te vlerës
numerike) dhe cilat standarde të lejuara (nacionale,
evropiane a globale).
Të gjitha këto ngatërrime që u përmenden në sektorin e
ajrit pothuajse në formë të njëjtë i gjejmë edhe në
sektorin e ujit.
Të ndodhe po ashtu që në vend të termit “mbeturina”
apo “mbetje” që është një term shumë më i pranueshëm
si në kuptimin gjuhësor, përmbajtjesor dhe konceptual
për çështjen që i referohet, të përdoret termi “pleh” apo
“bërllok” diçka që ja humb tërësisht kuptimin dhe
relevancën.
Ngatërrime të ngjashme i hasim edhe kur është në
pyetje trajtimi i çështjes së “cilësisë së dheut” që kryesisht konsiderohet si një koncept mjedisor, e të cilin
shpesh e ngatërrojnë me çështjen e “cilësisë së tokës”, i
cili më shumë konsiderohet si koncept bujqësore dhe
agrar. Bile kur jemi te toka, ngatërresat dhe
pështjellimin shkojnë deri në atë masë saqë 22 Prilli-Dita
e Tokës, që në gjithë botën njihet dhe shënohet si Dita e
Planetit Tokë, tek ne shënohet me fokus primarë “ne
mbrojtjen e tokës bujqësore dhe me mbrojtjen e dheut
nga ndotja”!
E kur janë në pyetje ndryshimet klimatike, mbase
mundë të gjejmë më së shpeshti deklarime jo relevante
dhe ngatërrim konceptesh për shkak të kompleksicitetit
të çështjes dhe njohurive jo të mjaftueshme për të.
Ndryshim global i klimës, ndikimi i sektorëve të
ndryshëm në ndryshimet klimatike, adaptimi ndaj
ndryshimeve klimatike dhe zbutja e ndryshimeve
klimatike, janë koncepte që trajtohen dhe shtjellohen në
mënyra të veçanta në kuadër të politikave globale dhe
që dallojnë esencialisht njëra nga tjetra, ndërkohë, që tek
ne flitet vetëm në kuptimin gjeneral të ndryshimeve
klimatike pa i dalluar dhe pa i ndarë ato. Pra të gjitha
futen në një thes, duke mos pasur mundësi që pastaj të
ndahen ato dhe të trajtohen në mënyrën e duhur.
Ngatërrimet në përdorimin e terminologjisë së duhur i
hasim shpesh edhe në rastet kur dikush dëshiron të
trajtojë çështjen e ndikimit të sektorëve të caktuar në
mjedisi. Në këto raste zakonisht lexojmë apo dëgjojmë
deklarimet e tilla si për shembull “gjendja e mjedisit në
sektorin e energjisë”, ndërsa që referimi shumë më i mirë dhe më i duhur do të duhej të ishte “ndikimi i
sektorit të energjisë në gjendjen e mjedisit”.
Edhe kur flitet për zonat e mbrojtura të natyrë hasim me bollëk referime të gabuara. Kështu për shembull Parqeve Kombëtare sikurse janë Parku Kombëtarë Sharri dhe Parku Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna, përfaqësues të ndryshëm të institucioneve shpeshherë iu referohen si Parqe të Natyrës, që është një kategori tjetër e zonave të mbrojtura. Bile kjo ka ndodhur edhe në një spot reklamues zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë që i dedikohet sensibilizimit të opinionit për Mbrojtjen e Parqeve Kombëtare, e ku reklama përfundon me mesazhin kryesor “Ti ruajmë Parqet e Natyrës për të ardhmen e fëmijëve tanë”. E kundërta ndodhe me Parqet Regjionale apo sikurse janë adaptuar në klasifikimin e ri Parqet e Natyrës, të cilave iu referohen si Parqe Kombëtare. Mundë të gjeni po ashtu dhjetëra raste kur zyrtarë institucionesh dhe mediume i janë referuar Parkut të Gërmisë, që ka statusin e Parkut Regjional të Natyrës si Park Kombëtarë. Ngjashëm ndodhë edhe me zonën e mbrojtur të Mirushës, që po ashtu i referohen gabimisht duke e quajtur si Park Kombëtarë.
Por, përveç të gjitha këtyre që u përmendën më lartë
dhe që kryesisht janë të ndërlidhura më përdorimin e
gabuar dhe jo relevant të koncepteve dhe
terminologjive, ndodhë edhe ajo që institucionet ti
referohen gabimisht edhe kompetencave dhe
përgjegjësive të tyre mandatorë dhe ligjore. Kështu për shembull në ueb faqen e Ministrisë së
Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë mundë të lexosh,
që kjo ministri e ka prioritet mbrojtjen e pyjeve, edhe
pse Ligji i Pyjeve dhe ndarja e përgjegjësive të ministrive
këtë çështje ia atribuon Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë
dhe Zhvillimit Rural, apo edhe e kundërta, kjo e dyta
insiston edhe më tutje në menaxhimin e pyjeve në zonat
e mbrojtura dhe në rregullimin e çështjeve që
ndërlidhen me llojet e rralla dhe të rrezikuara bimore e
shtazore edhe pse kjo çështje me Ligjin për Mbrojtjen e
Natyrës dhe në përgjegjësitë mandatore të
institucioneve është në kompetenca të Ministrisë së
Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë. Apo edhe
ngatërrimet e kompetencave dhe përgjegjësive ne mes
këtyre dy ministrive për çështjen e “cilësisë së dheut”
dhe “cilësisë së tokës”.
Duke u përpjekur për të gjetur shkakun e gjithë këtyre
ngatërresave vijmë tek përfundimi se në të shumtën e
rasteve ato janë pasojë e mungesës së informacionit për
problemin në fjalë, pasojë e deklarimeve të njerëzve jo
kompetenten dhe jo relevant për çështjen për të cilën
flitet dhe në disa raste të nxituara nga dëshira e dikujt
për të prodhuar një efekt medial apo edhe nga prirja e
vetë mediave për të qenë në qendër të vëmendjes.
Fare në fund shpresoj që ky opinion imi të jetë vetëm një
përpjekje e vogël për të gjetur fillin në “lëmshin” e
pështjellimeve në terminologjinë mjedisore, para se këtij
“lëmshit” ti humbet krejtësisht fija.
Botuar me 07.06.2013, në formatin elektronik të Gazetës
Express www.gazetaexpress.com dhe në portalin e agjencisë
së lajmeve www.ekonomia-ks.com

No comments:
Post a Comment