Sunday, July 12, 2020

Degradimi urban i një qyteti!

Nga: Ark. Ylber Vokshi –Ylli

Qyteti i Gjakovës ka pasur një traditë në zhvillimet urbane. Nga një qytezë mesjetare e shekullit XV u zhvillua në një qendër administrative të kohës. Në shekullin e XX,  vazhdimësi të kritereve të ashpra të kësaj treve, dhe në aftësitë specifike dhe kolektive të gjakovarëve, me anën e arsimimit të ekspertëve të kësaj fushe, ky mjedis u zhvillua në një qendër urbane për lakmi. Ajo çka është tentuar me dekada që pjesa e qendrës së qytetit të ri të fitoi identitetin urban, që është proces shumë i vështirë urban u arrit të degradohet pas luftës nga vet ne.

Reagimet i mija për të cilat kamë shkruar para shumë vite, për atë se çka është duke ngjarë në qytetin e Gjakovës, në fushën e planifikimit hapësinor, urban dhe të ndërtimit, datojnë shumë vite më parë, duke u nisur nga ajo se kamë qenë pjesë e atyre profesionistëve që kamë kontribuar shume vite në ekipin e udhëhequr nga arkitekti i nderuar gjakovar Skender Këpuska, i cili është “pensionuar”, e sot jeton i izoluar nga problematika urbane e qytetit të ti që aq shumë i dha.

Ne ishim ata që vazhduam rrugën e baballarëve tanë, që duke respektuar traditën dhe disa principe të një jete të dëshiruar urbane. Edhe se të pa shkolluar, por me një dell perfektë për hapësirën që na rrethon, ata kishin ditur të harmonizojnë, unifikojnë të vjetrën me të renë. Një arritje të tillë në Gjakovë duhej respektuar të gjithë ne si pasardhësit e një mjedisi urban (qyteti),të cilin e kanë respektuar me shekuj paraardhësit tonë. Është për tu admiruar se si një qytezë e vogël, kur ka pasur “presione” ekonomike dhe demografike për tu zgjeruar (është rasti pas luftës së dytë botërore),ka arritur të zgjidhe me dinjitet ato presione urbane të kohës.

Edhe principet e sotme të zhvillimit POLICENTRIK të territorit të komunës së Gjakovës në ato kohëra janë zbatuar, kur nuk ishin aktuale në Evropë. Krijimi i zonave satelite nëpër fshatra, tregonte vizionet e qarta të strukturave udhëheqëse komunale, dhe urbanistëve të asaj kohe. Kapacitetet prodhuese u ndërtuan në Ponoshec (elektromotorët),Junik (fabrika e tekstilit),Rugovë (kapacitetet përpunuese bujqësore) dhe në shumë fshatra të tjera të komunës. Le të gjykon dikush për ndasitë fshat qytet pas këtyre argumenteve të qëndrueshme të kohës. Këto zhvillime hapësinore ishin për admirim jo vetëm në nivelin Kosovar por edhe ma gjerë në regjion dhe në Evropë.

Pak kush në Gjakovë e din se me cilat akuza janë ballafaquar vendimmarrësit gjakovarë në vitet tetëdhjetë, lidhur me konceptin e ri të zhvillimit urban të qytetit të tyre, të aprovuar pas një konkursi urbanistik ndërkombëtar. Ishte fjala për bulevardin  këmbësor që kishte filluar të realizohet nga qendra e qytetit (sheshi i “Fontanës”), pallati i kulturës, rruga e “dibranëve” e do të përfundonte në Orize. Ishte ky një koncept i ri i urban i fundshekullit XX që kishte filluar të aplikohej në tërë botë e civilizuar. Në ndërkohe pësuan ndryshime të mëdha politike, struktura politike të Gjakovës kishin presione të pa imagjinuara politike nga Serbia me qëllim që të “bllokohet” ai plan pasi “rruga këmbësore ”kalonte nëpër rrugën e “shkijeve”. Pas shumë takimeve dhe argumentimeve profesionale strukturat e atëhershme serbe të nivelit të lartë shtetëror u “binden” në atë si kishin vepruar profesionistët gjakovar dhe u tërhoqën.

E pas vitit 1999, kur kishim aq shumë kuadro të profileve të ndryshme, kur ishin vendosur themelet e një zhvillimi të mirëfilltë hapësinor dhe urban, filluan degradimet e shumta në të gjitha anët e qytetit dhe komunës. Se pari u sulmua qendra e qytetit që me aq mund e krijoi IDENTITETIN urban pas disa dekadave ekzistencë, e pastaj edhe pjesët e tjera të qytetit duke e përfshirë edhe Çarshinë e Madhe, të cilën gjeneratat e kaluara e kanë ruajtur me shekuj. E kanë kultivuar me xhelozi, si një rast i veçantë i një kompleksi me vlera të rralla urbane që funksionon edhe sot, që  tregon lashtësinë dhe vazhdimësinë e ekzistencës së popullit Shqiptar në këto troje.

Në një konkurs ndërkombëtar para shumë viteve, ishte përvetësuar zgjidhja urbanistike e qendrës së qytetit e përthekuar me objektet kryesore të një qendre bashkëkohore të asaj kohe. Realizimi i saj u përcoll me shumë peripeci të dhimbshme të ndërlidhura me ç-vendosjen e banorëve të vjetër të qendrës së qytetit si atyre fetare (Teqja e Bektashive). Qëllimi i pushtetit të asaj kohe ishte që qyteti i tyre të fitonte një qendër me atribute që do të mbështeteshin në të arriturat e urbanizmit bashkëkohor, ishte kjo një ndërmarrje shumë e vështirë në atë kohë. Këtë e arritën falë përkrahjes të pa rezervë të qytetarëve të vjetër të Gjakovës, fjalët përkrahëse të babait Qazim Bakalli janë të njohura për të gjithë ata të cilët ishin të kyçur në procesin e shpronësimit (ekspropijimit).

U punua me përkushtim me vite të tëra për të jetësuar këtë projekt me ndërtimin e Postës, Shtëpisë të mallrave, objekteve administrative, objekteve të banimi, hotelit të qytetit, për një jetë ma të mirë të banorëve të saj. Pas luftës së vitit 1999 në fillim u vazhduar me sanimin e gjendjes së krijuar dhunshëm nga regjimi serb (kisha dhe një objekt banimi në rrugën e këmbësorëve),si dhe me objekte të reja gjithnjë duke e respektuar zgjidhjen urbanistike të aprovuar para shumë viteve.

Kulminacioni i mos respektimit të rregullave urbane ishte ndërtimi i një objekti afarist-banesor mu në “sheshin e Fontanes”, në anën veriore të qendrës, në mes të objektit të ish “Bankkosit” dhe shtëpisë së mallrave “Agimi”, pa u respektuar asnjë rregull urbane, morale apo kanunore. Është uzurpuar edhe prona e huaj, një çmenduri të tillë urbane as që e kamë imagjinuar ndonjëherë, pasi kishte mundësi të ndërtohej një objekt i tillë afarist-banesor mu në pjesën qendrore të qytetit. Ndërtimi i një objekti në lokacionin e qendrës së ngushtë të qytetit, aty ku ishte ndërtuar pjesa ma e madhe e sheshit të “Fontanës”, i cili ishte fillimi i rrugës këmbësore që duhej të përfundonte në “Orize”, e që do ti jepte kualitet të ri jetës urbane në Gjakovë, nuk ka asnjë shpjegim urbanistik. Ide të ngjashme kishin edhe pushtetarët serb por nuk vepruan, pasi kishte kundërshtime të mëdha nga arkitektët gjakovar dhe ishte kundër ligjeve të urbanistikës të cilat i frikësonin.

Kjo i hapi rrugë mos respektimit të rregullave elementare urbane të definuar për qendrën e qytetit, filluan ndërtime çoroditëse të disa objekteve “surrogate”, që qendrën e ngushtë të  qytetit e kthyen në një “burg urban”, të pa shembull për një qytet i cili i kishte definuar më parë kriteret urbane për qendrën e qytetit, duke i mbrojtur vizuarat ndaj Çabratit, jetike për gjakovarët. Kjo po vazhdon me zhdukjen e identitetit urban të krijuar me vështirësi të mëdha që konsiston me ndryshimin e pamjes (fasadës) së shtëpisë së mallrave “Agimi”, e shumë veprimeve të pa kontrolluara me ndërtime në zonat tjera të qytetit si në “Orize. Aq ma tragjike është edhe pjesëmarrja e disa “arkitektëve” gjakovar në këtë krime urbane që ia dhuruan qytetit të tyre. Athua a do të turpërohen për atë që kanë bërë, e që për momentin po “mburren”.

Natyrisht përshtatjen kushteve të reja të jetesës që i kërkon koha duhet marrë në konsideratë, për atë ekzistojnë planet e renovimeve, regjenerimeve, rindërtimeve urbanë që në mënyrë institucionale do të duhej ndërmarrë, e jo me lejuar këso veprime që janë lejuar vitet e fundit. Ajo çka ka ngjarë me veprimet e pas vitit 1999 nuk do të ju falët askujt dhe do të ketë pasoja afatgjate. Është përdhunuar i tërë një qytet me kulturë të lashtë.

Është qeverisja e Komunës që ka lejuar këto degradime urbane, për të cilat Gjakova nuk ka pasur nevojë pasi i kishte të definuar me kohë. As në kohen e masave të dhunshme, serbët me “mashat” e tyre shqiptare, nuk kanë guxua të bëjnë ndërhyrje urbane në qendrën e qytetit, pasi iu kanë frikuar organeve të veta shtetërore.

Uroj se kaluan vitet e çmendurisë urbane në qytetin e Gjakovës, besoi që këto procese degraduese hapësinore dhe urbane do të ndërpriten, pasi askujt nuk i shkon për nderë. Nga qeverisja e re që premton ndryshime, presim të ndërmarrë hapa konkrete progresive me vizion për të ardhmen, së paku në fillim për të sanuar atë që ka ngjarë në këto vitet e “ferrit urban” në qytetin e Gjakovës, që pak kush, pos profesionistëve të rrallë i vëren dhe i  përjeton rëndë. Të shohim, mbesim me shpresë!

Botuar me 19.11.2013, ne  https://gazetadielli.com/17000/ dhe ne http://old.kosovapress.com/sq/opinione/ylber-vokshi-ylli-77/degradimi-urban-i-nje-qyteti-6046/


No comments:

Post a Comment