Sunday, November 15, 2020

Gouffre Berger, një prej shpellave më të thella në botë

Gouffre Berger është një shpellë në Francë, për të cilën – deri në vitin 1963, mendohej se ishte shpella më e thellë në botë. Pika më e thellë e kësaj shpelle, që është matur deri më tash, është 1.191 metra, ndërkaq, sipas të dhënave të fundit, kjo shpellë është e 28-ta më e thellë në botë dhe e katërta më e thellë në Francë.

Krateri Pingualuit – Syri i Kristaltë i Nunavikut

Në majën më të lartë të Quebec-ut verior, në Arktikun kanadez, gjendet një krater me formë të përkryer të rumbullakët, përplot me ujë të pastër si kristali – e që mund të shihet edhe nga Gjithësia. Krateri Pingualuit, nga banorët lokalë njihet dhe me emrin Syri i Kristaltë i Nunavikut. Ky krater është formuar kur një meteor e kishte goditur Tokën para 1.4 milion vjetësh, që e bën atë një prej liqeneve më të vjetra në hemisferën perëndimore.

Kazuari i madh, shpendi më i rrezikshëm në botë

Sipas Librit të rekordeve botërore Guinnes, Kazuari i madh/kazuari australian apo kazuari jugor (latinisht: Casuarius casuarius)është shpendi më i rrezikshëm në botë. Shpendi i tretë më i madh në botë dhe një prej shpendëve më të rënda, kazuari i madh mund të rritet deri në 2 metra (gjatësia mesatare 127-170 cm), meshkujt ndërkaq, mund të peshojnë deri në 55 kg, ndërsa femrat deri në 76 kg. Kthetrat e tyre, të mprehta si shpata, janë të gjata deri në 12 cm, ndërsa kazuari është dhe shpendi i vetëm në botë që ka një lloj helmete mbrojtëse në kokë – e cila e mbron atë derisa vrapon nëpër pyll. Po ashtu duhet shtuar se, ky lloj shpendi mund të vrapojë me shpejtësi deri në 50 kilometra në orë. 


Shkretëtira e njelmët, fenomeni gjeologjik më unik në botë

Dasht-e Kavir, e njohur si shkretëtira e madhe e njelmët, gjendet në mes të rrafshnaltës iraniane, rreth 300 kilometra larg Teheranit. Kjo shkretëtirë është e gjatë 800 km dhe e gjerë 320 km, ndërsa njihet si fenomen gjeologjik – pasi që përbëhet nga formacionet e baltës dhe moçalet e njelmëta.  Para miliona vjetësh kjo zonë ka qenë e mbuluar me oqean, ndërsa kur oqeani kishte shterruar, ai kishte lënë pas vetes shtresën e kripës të trashë 6-7 km. Me kalimin e kohës ndërkaq, kripa u mbulua me shtresën e trashë të baltës. Dhe, pasi që kripa ka dendësinë e vogël, gjatë viteve – ajo ka dalë në sipërfaqe, duke krijuar kupola të njelmëta.