Monday, May 9, 2022

Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës nga ndezja e gomave dhe ndikimet në shëndet

Nga Valdet Teneqja, Doktor i Shkencave të Kimisë, Udhëheqës i Sektorit të mjedisit në Organizatën për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi”

Me themelimin e Organizatës për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi”,  si dhe funksionalizimin e sektorëve përgjegjës, çështja e mbrojtjes së mjedisit është ngritur në mënyrë të vazhdueshme përmes aktiviteteve konkrete dhe duke u ballafaquar direkt me problematikat që rezultojnë me ndotje. Prandaj duke qenë të vetëdijshëm lidhur me problematikat jo të vogla në vendin tonë, ne kemi marrë përsipër trajtimin e këtyre dukurive në mënyrë shumë serioze. Njëra ndër dukuritë brengosëse, është edhe ndezja e gomave, dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj. Edhe përkundër ekzistimit të Ligjit për mbrojtjen e ajrit “Ligji nr. 03/l-160 Për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja”, i cili ndalon rreptësisht djegien e gomave, si dhe ndëshkimeve me ligj, ku çdo person dënohet nëse kryen një veprim të tillë, prapë se prapë kjo praktikë po përsëritet. Ne si sektor mbi mbrojtjen e Ajrit, Ujit dhe Tokës jemi munduar që përmes këtij shkrimi të pasqyrojmë një koncept të qartë të kërkesave tona që kanë të bëjnë me mbrotjen e këtyre resurseve natyrore.

Ndër kërkesat tona është krijimi i një baze të qëndrueshme juridike për mbrojtjen e Mjedisit në nivel lokal dhe atë qendror në mënyrë që të jetë i përballueshëm dhe në përputhëshmëri me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë.

Synojmë gjithashtu që të përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e personave fizik dhe juridik për sigurimin e kushteve dhe masave për mbrojtjen dhe përparimin e kushteve të Mjedisit duke përfshirë detyrimin dhe përdorimin  me  përgjegjësi  të  resurseve  natyrore,  me  qellim  të  realizimit  të  së  drejtës  së qytetarëve për një Mjedis të shëndetëshëm dhe njëkohësisht zhvillim të qendrueshëm ekonomik.

Çështja mjedisore është çështje e ardhmërisë sonë dhe nuk guxon të anashkalohet në asnjë pjesë   që  përkon   me   pikëpamjen   mjedisore, prandaj duhet shtohen përpjekjet nga institucionet tona që të zbatohen ligjet dhe të respektohen kërkesat e normave ndërkomëtare të mbrojtjes së paramtrave ambiental, të cilët janë shumë esencial për shëndetin e qytetarit tonë.

Do të paraqesim disa informacione në lidhje me efektet shëndetësore të emisioneve nga djegia e gomave të përdorura hedhurinë, në lidhje edhe me problemin e ndotjes nëntokësore që rezulton nga djegia e gomave, si dhe alternativat se si kjo mbetje nëse trajtohet siç duhet ajo mund të shëndërrohet në një produkt me vlerë dhe aspak ndotës.

Shkarkimet në ajër nga djegia e gomave janë një kërcënim serioz për shëndetin e njeriut. Në mënyrë të veçantë, emetimet nga ndezja e gomave janë me nivel të lartë mutagjenik (më shumë mutagjene se emetimet nga djegia e të gjitha materialeve të tjera, pra pjesa më e madhe e materialeve tjera që hulumtuesit kanë testuar deri më tani). Emetimet nga ndezja e gomave përmbajnë sasi të konsiderueshme të agjentëve të njohurë si kancerogjene njerëzorë, të paraqitur si në vijim: benzeni, 1,3-butadieni, dhe benzo [a] pyreni.

Emetimet në ajër nga zjarret e gomave në ambient të hapur janë treguar të jenë më toksike (p.sh. mutagjene) se ato të një shpenzimi me djegie që vie nga një karburantë tjetër. Emisionet e zjarrit të gomave në ambient të hapur përmbajnë: grimcat ndotëse, monoksidin e karbonit (CO), oksidet e squfurit (SO2), oksidet e azotit (NOx), dhe komponimet organike të paqëndrueshme (VOC). Ato gjithashtu përfshijnë ndotësit e rrezikshëm të ajrit të tilla si hidrokarburet aromatike policiklike (PAH), dioksinat, furanet, klorurin e hidrogjenit, benzenin, Polikloruret e difenilit (PCB); dhe metalet siç janë: arseni, kadmiumi, nikeli, zinku, mërkuri, kromi, dhe vanadiumi. Prandaj këto emetime të shkaktuara nga zjarri i gomave në ambient të hapur mund të jenë shkaktar potencial të rrëzikut për sëmundjet akute (afatëshkurtër) dhe kronike (afatgjatë) edhe për zjarrfikësit dhe banorët aty pranë. Në varësi të kohëzgjatjes dhe shkallës së ekspozimit, këto efekte shëndetësore mund të përfshijnë acarim të lëkurës, syve, dhe mukozës, efekte në organet e frymëmarrjes, sistemit nervor qendror, depresioni, dhe kancer. Zjarrfikësit dhe të tjerët që punojnë pranë një zjarri të madh të gomave duhet të jetë e pajisur me respiratorë të ajrit dhe mbrojtës të lëkurës.

Këtu do të paraqesim të dhënat e emisioneve të liruara të një studimi nga një program testues laboratorik për djegien e pakontrolluar të pjesëve të gomave si dhe monitorimin e ambientit të hapur nga zjarri i shkaktuar nga ndezja e gomave. Të dhënat mutagjene të emetimeve nga djegia e hapur e gomave hedhurinë janë krahasuar me llojet e tjera të emetuara nga djegia e karburantëve të tjerë. Emetimet e zjarrit të gomave në ambient të hapur vlerësohet të jenë 16 herë më shumë mutagjenë se sa ato që lirohen me djegiet e drurit në vendbanimet që ngrohen me ngrohëse zjarri, dhe 13.000 herë më mutagjenë se emetimet nga shfrytëzimi i qymyrit me efikasitet të mirë djegie dhe që kanë kontrollet shtesë. 

Analizat laboratorike të këtyre emisioneve (shkarkimet e gazrave)

Një program testimi i kontrolluar me anë të simulimit është projektuar për të identifikuar dhe kuantifikuar produktet organike dhe inorganike të emetimit gjatë djegies së gomave hedhurinë (të përdorura) të simuluar në ambient të hapur e cila u krye nga EPA (Ryan, 1989) dhe më tej dokumentuar në një letër të Asociacionit të quajtur “Air and Waste Management Association” [(AWMA) Lemieux dhe Ryan, 1993]. Ky studim i rëndësishëm është përmbledhur në detaje më poshtë.

Nga pasqyrimi i rezultateve të programit të testimit të mostrave të marra në pozicione të ndryshme dhe, secila e mostruar në periudha të ndryshme gjatë djegies, rezulton se Benzeni është emetuar në sasi të mëdha. Shumica e emisioneve organike të paqëndrueshme (lehtë të avullueshme) janë komponimet alifatike, olefinike, ose acetilenike- aromatike të zevendësuara. Alkanet ciklike, alkenet, dhe dienet ishin gjithashtu të pranishëm. Butadienet, një përbërës i madh i procesit të fabrikimit gomave ishte gjithashtu i pranishëm.

Të dhënat e emisioneve të komponimeve PAH (Hidrokarburet aromatike policiklike) janë paraqitur gjithashtu, ku 16-PAH përfshijnë disa komponimeve të njohura të cilët paraqiten të jenë kancerogjene. Në veçanti, prania dhe madhësia e benzo (a) pyrene (BaP) është një shqetësim i madh. BaP është shpesh komponim shumë i shqyrtuar dhe analizuar gjatë vlerësimit të proceseve të djegies, për shkak të potencës së lartë ndaj kancerit.

Një sistem i veçantë i koleksionimit të grimcave është përdorur për të analizuar 17 metale që gjenden në mbetjet e hirit të gomave të ndezura. Rezultatet e analizës së metaleve tregojnë se nga emsisionet e analizuara u karakterizuan vetëm metalet e plumbit dhe zinkut.

Mutagjenët janë shqetësuese sepse" induksioni i dëmit gjenetik mund të shkaktojë një incidencë në rritje të sëmundjeve gjenetike në gjeneratat e ardhshme dhe të kontribuojnë në sëmundjet e qelizave somatike, duke përfshirë kancerin, në brezin e sotëm "(Amdur, 1991). Autorët arritën në përfundimin se djegia në ambient të hapur të gomave, drurit, dhe plastikës rezultojnë në faktorë jashtëzakonisht të lartë të emetimit të mutagjenëve.

Përfundimet e nxjerrura të raportit të testimit na shërbejnë si një paralajmërim potencialisht serioz:" a) Duke marrë parasysh një potencë relativisht të lartë mutagjene të grimcave organike, (b) faktorë të lartë mutagjene të emetimit, dhe (c) prania e shumë mutagjenëve / karcinogjenëve, sidomos PAH-ve, në rrymën e tymrave të liruar nga djegia e hapur e gomave, djegiet e tilla përbëjnë një rrezik të vërtetë mjedisorë dhe shëndetësorë "(Lemieux dhe DeMarini, 1992).

Përveç kësaj, studimi ka theksuar edhe një ndikim tjetër nga ndezja e gomave: lirimin në tokë dhe në ujërat nëntokësor të substancave të rrezikshme. Çfarë vijon është një citim nga studimi:

Përveq emisioneve, sasi të konsiderueshme të substancave të lëngshme dhe të ngurta përmbajnë kimikate të rrezikshme që mund të jenë gjeneruar nga shkrirja e gomave gjatë ndezjes. Këto produkte mund të ndotin tokën, ujërat sipërfaqësore dhe ujërat nëntokësore dhe duhet të ketë kujdes të shtuar sepse duhet të merren për t`u menaxhuar siç duhet këto ndikime.

Konkludimet

Meqë studimet e kryera tregojnë se ndezja e gomave në ambient të hapur është dukuri e rrëzikshme, e konfirmuar se prodhon gazra toksike që mund të paraqesin rreziqe shëndetësore, atëher ne këtu do të mundohemi të paraqesim alternativat se si kjo mbeturinë duke u trajtuar me metoda të cilat janë miqësore dhe familjare me ambientin dhe natyrën do të mund të shëndërrohen në produkte shumë të kërkuara për nevojat industriale.

Lista e impianteve industriale, që mund të përdorin gomat e vjetra hedhurinë si lëndë djegëse alternative është mjaft e gjërë, dhe është paraqitur si më poshtë:

  • Në furrat e Impianteve të Cementës;
  • Në furrat e Impianteve të Gëlqerës;
  • Në furrat e Impianteve për shkrirje të metaleve;
  • Në furrat e Impianteve që shfrytëzojnë thëngjillin;
  • Në furrat e Impianteve për shkrirje të xeheve dhe mineraleve;
  • Në furrat e Impianteve për prodhimin e energjisë dhe kalldajave industrial.

Indeksi i metodave moderne të menaxhimit të gomave mbeturinë është paraqitur në Tabelën si më poshtë: 

Rekomandimet

Rekomandimet e sektorit tonë, përkatësisht sektori i Ujit, Ajrit dhe Tokës e cila operon në kuadër të Organizatës “OMMGJ” për këtë llojë të mbetjes e cila konsiderohet mjaft e dëmshme për mjedisin nëse nuk trajtohet si duhet. Prandaj ne këtu do të japim disa rekomandime të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e keqshfrytëzimit të tyre, apo keqmenaxhimit, duke u administruar përmes Udhëzimeve dhe Ligjeve përkatëse:

  • Gomat e vjetra hedhurinë duhet të përfshihen në legjislacionin tonë aktual dhe të parashihet e drejta e shfrytëzimit nga industritë e lartë cekura si lëndë djegëse alternative;
  • Shfrytëzimi i tyre si lëndë djegëse alternative për djegie edhe si lëndë e parë ose edhe si bashkë-djegies i proceseve në djegien e mbeturinave në impiante;
  • Produktet e lëngëta të nxjerrura prej procesit të riciklimit pas trajtimit të mundë të shfrytëzohen si hidrokarbure të lëngëta të naftës ( të një kualiteti më të dobët), për mjetet motorike në bujqësi;
  • Të bëhet subvencionimi i nënprodukteve që dalin nga distilimi i tyre dhe të i`u ofrohet mundësia prodhuesve të kësaj industrie që këto nënprodukte të shëndrrohen në produkte të gatshme për tregun.

No comments:

Post a Comment