Saturday, April 2, 2022

Burimet natyrore, pushtimi i Ukrainës dhe krimet mjedisore të luftës

Nga: Behare Bajraktari

Lufta ambientale, ndryshimet klimatike, agjenda e gjelbër ndërmjet Rusisë, Evropës dhe ShBA-së po transformojnë botën. Prej 20 vitesh butësia e Gjermanisë ndaj Rusisë, rrjedhimisht ndaj nevojave të saj mjedisore “e përkulur” para Putinit, ndërsa Kosova pas dy dekadash mund t’i kërkojë Serbisë llogari për krimet mjedisore që i ka bërë ndaj Kosovës ashtu siç ambientalistët dhe shkencëtarët botërorë kanë ngritur alarmin për krimet mjedisore dhe rreziqet nga arsenali i përdorur nga pushtimi i Ukrainës dhe ndëshkimi për krimin ambiental gjatë luftës.

Gazi rus dhe ndryshimet klimatike e rivalizojnë njëra-tjetrën; cila është më emergjente si çështje, apo cila e ka bërë tjetrën më alarmante, më kritike.

Prej vitit 2009 e deri në 2020 me fillimin e zbatimit të “Agjendës së Gjelbër” janë 12 vjet vazhdimësi e varësisë së Evropës nga burimet natyrore të Rusisë. Zvogëlimi i varësisë së Evropës nga gazi rus është diskutuar gjerësisht në 15 vitet e fundit në Bruksel. Pavarësisht kambanave të alarmit për një krizë në janar të vitit 2009 që çoi në ndërprerjen e transitit të gazit rus përmes Ukrainës për dy javë dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Evropa nuk ka frenuar importet e gazit natyror nga Rusia. Në të kundërt, dërgesat e gazit rus të gazsjellësit në Evropë u rritën pas vitit 2014, dhe Europa gjithashtu filloi të importojë gazin e lëngshëm rus nga projekti “Yamal” i cili filloi në 2017.

Burimet natyrore kanë përshkallëzuar siguritë nacionale të vendeve, zhvillimin ekonomik dhe fuqinë politike të këtyre shteteve, prandaj Evropa ka përshpejtuar “Agjendën e Gjelbër” si për nga gjetja e burimeve për furnizim me energji dhe ngrohje ashtu edhe për nga zëvendësimi i karburanteve dhe lëndëve fosile me makinat elektrike. (Minierat me jone litiumi në Ballkan shihen si rruga e re për makinat elektrike e ky mineral po eksplorohet shumë në Serbi, por çfarë mund të bëhet edhe në Kosovë, për këtë temë shkruajmë tjetër herë).

Për një kohë të gjatë çështjet mjedisore janë lënë në heshtje veçanërisht te ne, dhe janë mbuluar me tema folklorike si; nacionalizmi, korrupsioni, liberalizimi i vizave, religjioni, terrorizmi dhe çështjet ndëretnike, ndërsa politikanët tanë vazhdojnë të dehen nga vizitat e tyre të ëndërruara në zyret e Evropës të magjepsur si nga hiri i zanës Tinker Bell.

Po nga hiri i Tinker Bell-it u preken dhe vetë zyrtarët e Evropës duke besuar se Piter Pani do të mbetet gjithmonë fëmijë dhe se ai do të urtësohet nga butësia e Zanës Kumborkë.

Piteri apo Putini – rritur nën hirin e “magjisë”

Synimet e Evropës u qartësuan dhe u përshpejtuan viteve të fundit aq shumë sa që mos ta kishte pushtuar Rusia Ukrainën nuk do ta kishim kuptuar qartë se çështja mjedisore/ambientale është interes madhor i “padeklaruar” i Putinit (Rusisë), por interes edhe më i madh i deklaruar i Evropës.

Përmes deklaratave publike fajësohet Putini, por (Piteri) nuk është vetëm që udhëheq Rusinë, shtetin me territorin më të madh dhe batanijen e lëngshme të Evropës. Nëse i përcjellim ngjarjet kronologjikisht pamja është e kthjelltë si uji i burimit. Kërcënimet filloj t’i ndiej Evropa me aneksimin e Krimesë, por prapë nuk besuan se ata do të preken seriozisht. Evropën nuk mund ta sulmojë Rusia, jo! Shtetet evropiane u “fshehën” pas parullës ky është vetëm agresion i Putinit dhe se Rusia është diçka tjetër.

Janë po këta politikanët evropianë që për vite të tëra kanë paguar me paratë e tyre gazeta ruse duke lexuar çdo ditë dezinformatat dhe propagandën ruse në Parlamentin Evropian, kjo ndodhi me vite të tëra pa e hetuar një gjë të tillë. Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja kur do ta kishin vërejtur varësinë e tyre nga Rusia apo se Rusia po e pushtonte Ukrainën?

Interesi i Rusisë është të mos mbetet pa tregun e saj më të madh Evropën. Rusia përbën rreth 20 për qind të prodhimit botëror të naftës dhe gazit natyror dhe posedon rezerva të mëdha të dy lëndëve djegëse. Ky bollëk e ka bërë Rusinë praktikisht të vetëmjaftueshme në energji dhe një eksportues në shkallë të gjerë të karburanteve. Nafta dhe gazi ishin fituesit kryesorë të monedhës së vështirë për Bashkimin Sovjetik, dhe të tillë mbeten për Federatën Ruse.

Gazi i Rusisë derdhet në Evropë

Në vitin 2020, Rusia prodhoi 638.5 miliardë metra kub gaz natyror, duke ulur vëllimin me rreth 40.5 miliardë metra kub në krahasim me një vit më parë. Kështu, ajo renditet si prodhuesi i dytë kryesor i këtij karburanti fosil në mbarë botën.

Rusia është deri tani furnizuesi më i madh i Evropës. Burimi i dytë më i madh i furnizimit me gaz të lëngshëm në 2021 me 90 bcm (miliardë metra kub). Furnizues të tjerë të tubacioneve si Algjeria, Azerbajxhani, Irani dhe Libia kontribuuan me rreth 60 bcm. Prodhimi vendas i gazit në Evropë është rreth 190 bcm.

Eksportet e gazit të gazsjellësit të Rusisë në Evropë janë ekuivalente me rreth një të tretën e tregtisë globale të LNG-së që nga viti 2021. Nëse Evropa do të zëvendësonte të gjithë gazin e tubacionit rus me gaz të lëngshëm, do t’i duhej të importonte rreth 275 miliardë metra kub gaz natyror ose kilometër kub gaz natyror (bcm) – bazuar në bilancin e Evropës në 2021: kjo përfaqëson më shumë se 53 për qind të tregtisë globale të gazit të lëngshëm. Evropa do të duhet gjithashtu të gjejë burime alternative të LNG-së për të zëvendësuar gazin rus.

Evropa e varur nga komoditeti e jo nga burimet

Eksportet e gazit të gazsjellësit rus janë në të njëjtin gamë me përdorimin aktual të gazit në sektorin energjetik të Evropës. Nëse Evropa do të donte të zëvendësonte ekuivalentin e importeve të gazit rus me burime të rinovueshme, do t’i duhej të ndërtonte një shtesë prej 370 gigavat (GW) erë për të zëvendësuar këtë gaz (mbi 215 GW të instaluar që nga viti 2020). Evropa ka instaluar mesatarisht 14 GW kapacitet të erës në vit midis 2015 dhe 2020. Përndryshe, Evropa do të duhet të shtojë edhe 105 GW të tjera kapacitet bërthamor, afër kapacitetit ekzistues të instaluar në 2021 (115 GW).

Zvogëlimi i varësisë së Evropës nga gazi rus është diskutuar gjerësisht në 15 vitet e fundit në Bruksel. Pavarësisht kambanave të alarmit nga një krizë e janarit 2009 që çoi në ndërprerjen e transitit të gazit rus përmes Ukrainës për dy javë dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Evropa nuk ka frenuar importet e gazit natyror nga Rusia. Në të kundërt, dërgesat e gazit rus të gazsjellësit në Evropë u rritën pas vitit 2014, dhe Evropa gjithashtu filloi të importojë gazin rus nga projekti “Yamal LNG”, i cili filloi në 2017.

Prodhimi i gazit natyror në Evropë filloi të bjerë me shpejtësi pas vitit 2010. Në vitet 2000, prodhimi evropian i gazit përfaqësonte midis 50 dhe 60 për qind të kërkesës së Evropës. Prodhuesit më të mëdhenj ishin Holanda, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar. Por gjatë 10-15 viteve të fundit, prodhimi i gazit natyror në Mbretërinë e Bashkuar ka filluar të bjerë dhe tërmetet që lidhen me prodhimin e gazit në Holandë kanë përshpejtuar rënien e prodhimit të gazit të fushës së Groningenit, dikur fusha më e madhe e gazit në Evropë.

Pranvera evropiane do t’i ngroh pakëz

Edhe para pushtimit rus të Ukrainës, tregu ishte në krizë. Dimrat më të ftohtë në 2021 ushtruan presion mbi furnizimet dhe rezervat e varfëruara të gazit. Ato rezerva normalisht do të ishin rimbushur në muajt e verës, por prodhimi ra pasi disa prodhues e përdorën këtë herë për mirëmbajtje të shtyrë gjatë bllokimeve të Covid-it. Ndërkohë, moti i qetë uli sasinë e energjisë elektrike të prodhuar nga energjia e erës. Si rezultat, çmimet e gazit me shumicë u katërfishuan vitin e kaluar.

Kërkesa e Evropës për gaz është stabilizuar gjatë pesë viteve të fundit (megjithëse ajo mbetet nën kulmin e saj në vitin 2010, e cila u nxit kryesisht nga moti jashtëzakonisht i ftohtë).

Në vitin 2021, Bashkimi Evropian importoi 155 miliardë metra kub gaz natyror nga Rusia, që përbën rreth 45% të importeve të gazit të BE-së dhe afër 40% të konsumit të tij total të gazit. Përparimi drejt ambicieve zero neto të Evropës do të ulë përdorimin e saj dhe importet e gazit me kalimin e kohës, por kriza e sotme ngre pyetjen specifike në lidhje me importet nga Rusia dhe çfarë mund të bëhet më shumë në të ardhmen e afërt për t’i ulur ato?

Ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë: IEA ka publikuar një plan 10-pikësh për të reduktuar varësinë e Bashkimit Evropian nga gazi natyror rus.

Butësia evropiane ndaj Putinit (Rusisë)

Gjithmonë duhet të vendoset një ‘figurë’ të prijë në luftëra për të frymëzuar apo më vonë për t’u fajësuar. A do të mundej Putini të ishte kaq “idiot i padijshëm” sa ta fuste veten dhe vendin në një luftë bërthamore?

Kjo zonë e besueshme. Megjithëse në këtë kronologji të luftës gjelbëruese dhe politike është mbase Rusia që pati nevojë për Putinin që të arsyetojë pushtimin, trazirat dhe për të stopuar pavarësinë energjetike mjedisore të Evropës nga Rusia, sidomos pavarësia e Gjermanisë e cila ishte lider në “Agjendën e gjelbër”.

Por, të shohim çfarë (s)bëri Gjermania?

Para Angela Merkel-it, z. Gerhard Schröder, shërbeu si kancelar deri në tetor të vitit 2005, vetëm pak javë përpara se Schröder të jepte dorëheqjen si kancelar, qeveria gjermane garantoi të mbulonte një miliard euro nga kostoja e projektit “Nord Stream” nëse “Gazprom” nuk paguante një hua. Menjëherë pas dorëheqjes si kancelar, Schröder pranoi kandidimin e Gazprom-it për postin e kreut të komitetit të aksionarëve të “Nord Stream AG”, duke ngritur pyetje në lidhje me një konflikt të mundshëm të interesit. Por kjo mbeti vetëm në cilësinë e pyetjes.

Si Kancelar, Gerhard Schröder ishte një avokat i fortë i projektit të gazsjellësit “Nord Stream”, i cili planifikonte të furnizonte gazin rus drejtpërdrejt në Gjermani, duke anashkaluar kështu vendet e tranzitit.

Ndërsa pas 20 vitesh kur Rusia e pushtoi Ukrainën kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar nga ish-kancelari Gerhard Schröder që të japë dorëheqje nga postet në kompanitë që janë në pronësi të Rusisë. Schröder është drejtor i bordit mbikëqyrës i “Rosneft”, kompani energjetike, pronë e Rusisë. Ai gjithashtu kishte pozita në projektet e rrjeteve të gazit “Nord Stream 1 dhe 2”.Tubat pritej të furnizonin Gjermaninë direkt me gaz nga Rusia, duke anashkaluar Ukrainën.

Pas Schröder-it erdhi kancelarja e re znj.Angela Merkel e cila qëndroi në pushtet për 16 vjet si kurrë më parë në historinë gjermane. Nga këndvështrime të ndryshme Merkel është cilësuar si një dorë ledhatuese ndaj Putinit (Rusisë) dhe qeveritarëve të Serbisë (për këtë mund të shkruajmë një herë tjetër). Madje ka zëra që pyesin më të drejt a ka ndikuar gazi rus edhe në liberalizimin e vizave për 1.7 milionë qytetarët e gjorë të Kosovës?

Gjatë korrikut të 2020 ish- sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pati thënë se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që gazsjellësi rus “Nord Stream 2” të mos kërcënojë Evropën.

Kritikët e kanë quajtur “Nordsteram 2” shtrëngim duarsh me djallin

Ambientalistët kanë vënë në dyshim gjithashtu se si “Nord Stream 2” do të përshtatej me përpjekjet e Berlinit për t’i ulur emetimet dhe për t’i trajtuar ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

“Nëse Rusia pushton Ukrainën, në një mënyrë apo tjetër “Nord Stream 2” nuk do të ecë përpara”, u tha më vonë gazetarëve nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA-së, Victoria Nuland.

Edhe gjatë janarit të 2022 Rusia e mohonte pushtimin e Ukrainës

ShBA, Kosova dhe gazi i botës

Gjatë vitit 2021 Qeveria e Kosovës ka refuzuar një projekt të Shteteve të Bashkuara për furnizim me gaz natyror. Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media tha se Qeverisë i duhet kohë shtesë për të vendosur për projektin amerikan, duke shtuar se ende nuk dihet kostoja financiare e projektit. “Ka disa çështje që kërkojnë sqarime shtesë, si financat, kostoja e përgjithshme e projektit, ndërtimi i termocentralit”, tha ajo duke shtuar se asnjë vendim nuk do të merret pa ditur të gjitha kostot.

Administrata amerikane e Presidentit Joe Biden në vitin 2021 e përfshiu Kosovën në buxhetin e agjencisë federale MCC duke premtuar 200 milionë dollarë investime për ndërtimin e gazsjellësit që kalon përmes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe lidhet me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) ose burime të tjera.

Për Kosovën nga Presidenti i SHBA-së Joe Biden –  200 milionë dollarë, së paku

Në dhjetor 2018, Bordi i Drejtorëve të MCC-së zgjodhi Kosovën për të zhvilluar një program kompakt ndërsa vendi vazhdoi të zbatojë një program të vazhdueshëm të pragut. MCC dhe Qeveria e Kosovës përditësuan dhe riafirmuan qasjen në energji të besueshme dhe të përballueshme si pengesë për rritjen ekonomike të Kosovës. Gjatë dy viteve të fundit, MCC ka punuar me qeverinë kosovare dhe palët e tjera të interesit për të zhvilluar një program të fokusuar në sektorin energjetik të Kosovës. MCC dhe Qeveria përfunduan studimet e parafizibilitetit në vitin 2020 për të vlerësuar tri projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave energjetike për balancimin e sistemit energjetik dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas shqyrtimit të rezultateve të studimeve, qeveria kërkoi të ecë përpara me zhvillimin e sektorit të gazit dhe krijimin e rezervave energjetike me synimin për të lehtësuar integrimin e burimeve të rinovueshme, për të lehtësuar varësinë e Kosovës nga qymyri dhe për të arritur qëllimet e dekarbonizimit.

BE-ja neutrale ndaj klimës, neutrale ndaj Rusisë, “neutrale” deri në pushtimin e Ukrainës

BE-ja synon të jetë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050 – një ekonomi me emetime neto zero të gazeve serë. Ky objektiv është në qendër të “Marrëveshja e Gjelbër Europiane” dhe në përputhje me angazhimin e BE-së për veprimin global të klimës sipas “Marrëveshjes së Parisit”. Tranzicioni në një shoqëri neutrale ndaj klimës është një sfidë urgjente dhe një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë. Por shpresojmë se BE-ja nuk do të jetë më neutrale ndaj politikave të tilla që diskirminojnë shtete të vogla e deri te neutraliteti mjedisorë dhe politik. Evropa e ka synim për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 2°C , por nuk arrin të mbaj larg gazin rus.

Si ia prishi Putini strategjitë BE-së?

Po shtyhej me shpejtësi “Marrëveshja e Parisit” dhe “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane” dhe si në heshtje deshën që të pavarësoheshin nga burimet natyrore të Rusisë. Putini (Rusia) duke e parë këtë braktisje filloj ofensivat jo vetëm për të ndalur hovin e “Agjendës së Gjelbër”, por tash për t’u bërë edhe më shumë faktor në kërkesat e saj në bisedime me palët për ta zgjidhur çështjen me Ukrainën. Objektivi për ta bërë BE-në neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050, në përputhje me “Marrëveshjen e Parisit” nëse nuk dështon, do të ngadalësohet shumë – si kërkesë e Rusisë për të nënshkruar paqen. Evropa do të kërkoj rrugë të tjera dhe strategji për të përmbushur objektivat e saj, por problemet mjedisore do të vazhdojnë me shpejtësi të erës, strategji që i dekonspiroi Putini duke e lënë Evropën pak si të “papërgatitur”.

Si mund të përfitojë nga kjo situatë Kosova drejtësinë mjedisore

Pushtimi rus i Ukrainës po shkakton një krizë mjedisore dhe ekspertët thonë se mund të duhen vite për të kuptuar plotësisht ndikimin. Ken Conca, është profesor i qeverisjes globale mjedisore International Service at American University and former Wilson Center fellow dhe bashkëautor i librit “Environmental Peacemaking”. Ai thotë se lufta në zonat industriale krijon rreziqe të mëdha të kontaminimit toksik. Profesori Conca nga komuniteti ndërkombëtar po kërkon që kriza mjedisore të llogaritet si një krim lufte. Gjithashtu kriza aktuale mund të ndikojë gjithashtu në politikën e ardhshme të klimës duke devijuar burimet dhe vëmendjen.

Kosova kurrë nuk i ka llogaritur dëmet mjedisore të shkaktuara nga Serbia

Dëmet mjedisore dhe katastrofat mjedisore që krijoj dhe la lufta pas në Kosovë nuk u llogariten kurrë. Këto kërkesa s’i bënë në asnjë takim negociues dhe në asnjë moment tjetër për dëmet që Serbia ia shkaktoj Kosovës. Këto dëme lanë pasoja afatgjate si në shëndetin e njerëzve ashtu dhe në mjedisin urban dhe mjedisin natyror. Deri tash është spekuluar se dëmet serbe në Kosove janë rreth 20 miliardë euro, por kurrë nuk u argumentua me saktësi?

Ekspertët dhe aktivistët mjedisorë në mbarë botën kanë ngritur alarmin për katastrofën ekologjike që mund të krijohet pas përdorimit të armëve, kimikateve dhe shpërthimeve të ndryshme nga arsenali i përdorur në Ukrainë.

Me zjarret dhe bombardimet e shkaktuara nga Rusia në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Zaporizhzhia, alarmi është ngritur edhe për 15 bërthamoret e tjera me një shqetësimin real, krahasuar edhe me atë çfarë ka ndodhur në Çernobil. Por, krahas krimeve mjedisore që po krijon pushtimi në Ukrainë ne kthehemi 22 vite pas se çfarë dëme mjedisore ka lënë përdorimi i arsenalit nga Serbia në Kosovë?

Shkatërrimi i pronësive private dhe publike kanë dëmtuar ambientin

145 mijë shtëpi të djegura apo 45% të shtëpive në Kosovë

Sipas raportit të HRW (Human Rights Watch) gjatë luftës janë djegur 145 mijë shtëpi apo 45 % të vendbanimeve private në Kosovë:

• Prej marsit e deri në qershor të 1999, ushtria serbe, policët serbë e paraushtarakët shkatërruan mijëra shtëpi në të gjithë Kosovën, duke përdorur për këtë qëllim artilerinë, buldozerët, eksplozivët dhe zjarrvënien.

• Një nga format më të bujshme të shkatërrimit të pronave civile e publike gjatë vitit 1998 e 1999 ishte praktika e përhapur e ndotjes së depozitave të ujit, e cila është e ndaluar nga ligjet e luftës dhe sipas këtij raporti gjatë luftës pati vazhdimisht ndotje të burimeve të ujit. Këto aksione ishin vazhdimi i politikave të zbatuara në Kosovë nga forcat e sigurimit gjatë vitit 1998 e fillimit të vitit 1999 sipas(HRW).

• Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), i cili drejtoi një operacion për higjienizimin e ujit në Kosovë, besohet se nga 20 mijë puse të Kosovës, më shumë se gjysma u ndotën me kufoma njerëzish apo me kafshë të vrara dhe me plehra/kimikate.

• Gjatë vitit 1998 e gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1999, forcat serbe vendosën në Kosovë afro 50,000 mina antitank e anti-personel, sidomos përgjatë kufirit me Maqedoninë e Shqipërinë.

Gjatë negociatave me Serbinë, politikanët e Kosovës nuk i kanë kërkuar llogari Serbisë për dëmet mjedisore që i ka shkaktuar me përdorimin e armëve, granatimet dhe arsenalin e përdorur duke ndotur ambientin dhe duke kontaminuar mjedisin me pasoja afatgjata në njerëz, në florë, faunë si dhe në shkatërrimin e biodiversitetit.

Pa i llogaritur plaçkitjet dhe dëmet e tjera njerëzore raporti i UNHCR-së mbi shtëpitë e banimit i publikuar në nëntor 1998 shkatërrimi i shtëpive gjatë ’98-s ishte një dukuri e zakonshme:

• 210 fshatra ishin prekur nga lufta
• 350 mijë banorë të këtyre zonave
• 28% e shtëpive – apo
• 9,809 shtëpi – ishin tërësisht të shkatërruara.
• 15% e shtëpive (5,112) patën dëmtime të rënda,
• 6,017 shtëpi të tjera ishin më pak të dëmtuara.
• 40% e të gjitha shtëpive të banimit ishin të dëmtuara rëndë
• 237,842 shtëpi që ishin në total:
• 45,768 janë dëmtuar rëndë dhe
• 46,414 janë të shkatërruara tërësisht
• 12,887 shtëpi në komunën e Rahovecit u dëmtuan rëndë
• 4,334 shtëpi u shkatërruan krejt (1,943 shtëpi);
• 4,552 shtëpi në Suharekë ishin të dëmtuara rëndë dhe
• 2,018 të shkatërruara tërësisht,
• 55% të numrit total të shtëpive private në Suharekë (11,622).
• 17,340 shtëpi në total, në rajonin e Drenicës, nga
• 7,155 u dëmtuan rëndë dhe
• 6,209 u shkatërruan tërësisht, që përbëjnë
• 77% të numrit të përgjithshëm.
• 1,590 shtëpi në qytetin e Pejës u dëmtuan rëndë
• 2,774 e u shkatërruan, që së bashku përbëjnë më shumë se
• 80% e 5,280 shtëpive.
• 649 shkolla të Kosovës shkatërrua apo më shumë se një e pesta e shkollave
• 60% ishin të shkatërruara tërësisht.

Vizita në terren nga ana e Human Rights Watch gjatë verës së ’99-s dëshmoi dëmet e dyqaneve e bizneseve në Suharekë, Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Gllogovc e Gjakovë.

Ndotja e depozitave ujore – pasoja ekologjike

Një nga format më të bujshme të shkatërrimit të pronave civile e publike gjatë vitit 1998 e 1999 ishte praktika e përhapur e ndotjes së depozitave të ujit, e cila është e ndaluar nga ligjet e luftës.

Në të gjithë Kosovën, forcat serbe i bënin qëllimisht të papërdorshme burimet e ujit duke vendosur kimikate, kafshë të ngordhura, madje hidhnin edhe kufoma njerëzish në ujë. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), i cili drejtoi një operacion për higjienizimin e ujit në Kosovë, “besohet se nga 20 mijë puse të Kosovës, më shumë se gjysma u ndotën me kufoma kafshësh apo njerëzish dhe me plehra e kimikate.

Human Rights Watch dokumentoi një numër fshatrash të Kosovës, në të cilët viktimat e masakrave ishin hedhur në depozita lokale ujore.

Sipas një artikulli në Washington Post në dhjetor 1998, të paktën pesëdhjetë e tetë fshatra informuan organizata të huaja ndihmash që puset e tyre përmbanin “qen, pula, kuaj të ngordhur, plehra, naftë, miell, detergjentë, kimikate e ndotësa të tjerë.”

Minat tokësore një tjetër shkatërrues mjedisorë e natyror

Gjatë gjithë vitit 1998 dhe gjysmës së parë të vitit 1999, forcat serbe vendosën në Kosovë afro 50,000 mina antitank e anti-personel, sidomos përgjatë kufirit me Maqedoninë e Shqipërinë. Minat dhe UXO-t përfaqësojnë trashëgiminë më vdekjeprurëse të luftës në Kosovë. Sipas Fondacionit të Veteranëve të Vietnamit me seli në Shtetet e Bashkuara, prej fundit të luftës deri në mesin e nëntorit 2000, si rezultat i aksidenteve me mina e predha të paplasura u vranë 103 vetë dhe u plagosën 394. Pak a shumë e njëjta gjë thuhet edhe në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve.

Qendra e OKB-së për Koordinimin e Aksioneve Antiminë (MACC), e cila u vendos në Kosovë pas luftës, raportoi që deri në korrik 2000 u çminuan dhe u pastruan nga predhat e pashpërthyera 1,1 milionë metra katrorë truall.

Serbia si një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të minave anti-trupa, nuk e ka nënshkruar traktatin e vitit 1997, që pengon përdorimin e minave tokësore, por zyrtarët serb kanë deklaruar që minat tokësore janë përdorur vetëm për qëllime stërvitjeje. Në të vërtetë, minat tokësore u përdorën gjerësisht nga forcat serbe gjatë viteve 1998-99 si një mjet taktik kundër UÇK-së dhe NATO-s.

E drejta mjedisore, e drejtë njerëzore dhe natyrore e mohuar për Kosovën

Agjenci të ndryshme të OKB-së dhe organizata humanitare kanë raportuar dëme dhe ndërprerje të gjerë të infrastrukturës ujore në Ukrainë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se kjo mund të përbëjë rreziqe shtesë për shëndetin mjedisor nga përhapja e sëmundjeve ngjitëse, si nga mungesa e ujit të pastër ashtu edhe nga tubacionet e prishura të ujërave të zeza. Bombardimet e qyteteve dhe qytezave ka të ngjarë të kenë rezultuar në dhjetëra tubacione të prishura dhe stacione pompimi që nuk funksionojnë, duke lënë qindra mijëra njerëz pa qasje në ujë. Por për shkatërrimin mjedisorë që po e bënë Rusia ndaj Ukrainës janë alarmuar të gjitha institucionet dhe organizatat mjedisore që krimet mjedisore duhen ndëshkuar në rastin e Ukrainës. Si një e drejtë mjedisore Kosova mund ta shfrytëzoj rastin për të kërkuar nga Serbia dëmshpërblim për krimet mjedisore të cilat në rastin e Ukrainës po konsiderohen si krime lufte. Kosova mund t’i llogarisë edhe dëmet mjedisore dhe natyrore nga lufta dhe përdorimi i arsenalit nga Serbia.

Lufta mund t’i zvogëlojë iniciativat e ardhshme të politikës klimatike

Derisa shkencëtarët, intelektualët, ekspertët dhe zyrtarët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare kanë heshtur karshi shkatërrimeve mjedisore që ka bërë Serbia ndaj mjedisit, natyrës së Kosovës duke lënë pas probleme afat gjate, shkencëtarja kryesore ukrainase Svitlana Krakovska, e cila është anëtare e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), thotë se “Është e mahnitshme se si populli i Ukrainës u bashkua kundër një armiku dhe nëse ne të gjithë bashkohemi kundër ndryshimeve klimatike, ne mund të mbijetojmë si qytetërim.” Ajo theksoi se karburantet fosile dhe mbështetja e Evropës në naftën dhe gazin e eksportuar nga Rusia, po “financonin luftën”. “Paratë që janë investuar në lëndët djegëse fosile, po i përdorin kundër nesh. Kundër lirisë. Kundër njerëzimit” tha ajo.

Mbështetja e Evropës nga Rusia për energji u citua edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një fjalim në të cilin ajo kërkoi një tranzicion më të shpejtë në energjinë e rinovueshme, duke thënë: “Ne thjesht nuk mund të mbështetemi aq shumë në një furnizues që na kërcënon në mënyrë eksplicite.”

Kriza mjedisore në Ukrainë mund të ndikojë gjithashtu në politikën e ardhshme të klimës përveç që krimet mjedisore tash janë krime lufte.

Shkencëtarët thonë: Dëmi mjedisor është një krim lufte

Shkencëtarët kërkuan nga ligjvënësit ndërkombëtarë për një konventë të pestë të Gjenevës që njeh dëmtimin e natyrës krahas krimeve të tjera të luftës, sipas një letre të hapur nga 24 shkencëtarë të shquar. Instrumenti ligjor përfshinë masa mbrojtëse për kafshët e egra në rajonet e konfliktit, duke përfshirë mbrojtjen për rezervatet natyrore, kontrollet mbi përhapjen e armëve të përdorura dhe masat për t’i mbajtur forcat ushtarake përgjegjëse për dëmtimin e mjedisit, thonë nënshkruesit e letrës, botuar në revista “Nature”.

Profesoresha Sarah Durant e Shoqërisë Zoologjike të Londrës, një nga nënshkruesit e letrës, tha se parimet ishin një hap i madh përpara dhe duhet të zgjerohen për të përmendur specifikisht biodiversitetin dhe më pas të miratohen në të gjithë botën. Puna në këtë fushë filloi në vitet 1990 pasi ushtria irakiane i vuri zjarrin më shumë se 600 puseve të naftës gjatë një tërheqjeje nga Kuvajti në vitin 1991, por ideja daton të paktën që nga lufta e Vietnamit, kur ushtria amerikane përdori Agent Orange për të pastruar miliona hektarë pyje me pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve dhe kafshët e egra.

Avokatët e OKB-së, më 2019 miratuan 28 parime ligjore për të reduktuar ndikimin mjedisor të luftës

Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare i OKB-së miratoi 28 parime ligjore që synojnë të mbrojnë më mirë mjedisin në lidhje me konfliktet e armatosura. Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare i OKB-së ka miratuar 28 parime ligjore që synojnë të rrisin mbrojtjen para, gjatë dhe pas konflikteve të armatosura.

Të kërkohet drejtësia mjedisore nga Këshilli për Klimën në Hagë

Këshilli për Klimën ndjek drejtësinë mjedisore përmes ligjit penal ndërkombëtar. Ky Këshill heton situatat që përfshijnë shkatërrimin e mjedisit natyror dhe dëmtimin e komuniteteve të varura. Ata zhvillojmë procese gjyqësore në emër të komuniteteve të prekura për të sjellë autorët para drejtësisë dhe avokojnë për një ligj të ri ‘ekocidi’ së bashku me partnerët globalë.

Ky ekip i ish-juristësh të Kombeve të Bashkuara të përkushtuar ndaj drejtësisë mjedisore dhe klimatike dhe me përvojë dekadash në gjykatat penale ndërkombëtare të OKB-së, përdorin ekspertizën e tyre në krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për të trajtuar krizën mjedisore.

Climate Counsel është një fondacion jofitimprurës i regjistruar në Hagë, Holandë, shtëpia e së drejtës ndërkombëtare.

Burimi i informacionit: Telegrafi.com


No comments:

Post a Comment