Saturday, December 18, 2021

Ndryshimet klimatike, hidrocentralet dhe shpyllëzimi në Kosovë

Nga Behare Bajraktari, Asistent redaktore në RTK, gazetare hulumtuese në sektorin e mjedisit

Nuk kemi pse te jetojmë afër oqeanit që të ballafaqohemi me ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale. Në Kosovë nuk mungojnë të reshurat dhe lumenjtë, por mungon uji. Sasia më e madhe e ujit dhe të reshurave të saj nuk mblidhet, por shpërndahet përmes lumenjve jashtë kufijve të saj. Ndërsa, pyjet janë reduktuar në masë të konsiderueshme nga ndërtimet, prerjet e paligjshme dhe erozioni si pasojë e tyre. Pyetja, nuk është a duhet të ndërhyjmë. Pyetja është a mund të bëjmë diçka, dhe nëse po, çfarë mund të bëjmë, përpara se të bëhet e pamundshme për të intervenuar. Në pjesën e dytë të këtij shekulli mund të mos e kemi këtë shans. Në këtë mënyrë, ndryshimi klimatik nuk është vetëm mjedisor por edhe shëndetësor.

Njeriu është duke shkaktuar zjarre, prerje të pa kontrolluara të pyjeve, ndërtime të paligjshme në zona pyjore dhe në zona të mbrojtura. Kosova mund ta ketë një kontribut të papërfillshëm në aspekt global, por dëmet kryesisht  janë për vetë Kosovën. ‘Emetimet vjetore të gazrave serrë në Kosovë për vitin 2019 janë vlerësuar rreth 9613 Gg (Giga gram) CO2 ose rreth 9.6 milion ton CO2.

Po mbase secili ka menduar se ndikimi ynë nuk është asgjë për botën, prandaj duke humbur ndjeshmërinë e të përbashkëtës kemi arritur në thyerjen e kufijve. Jemi sjellur pa përgjegjësi ndaj burimeve ujore, zjarreve apo ndaj shpyllëzimit siç po ndodh edhe në Kosovë. Në 481 mijë hektarë pyje sa ka Kosova, sipas Agjencisë së Pyjeve vetëm në gjashtë vitet e fundit janë djegur rreth 10 mijë hektar pyje, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore, si dhe duke ndikuar në rritjen e temperaturave.

Temperaturat rriten me shpejtësinë e autostradave – 10 gradë celsius për njëqind vjet

Krahasuar me djegien, prerja konsiderohet ekocidi më i madh që njeriu i bëjnë pyjeve. Prerjet e pa rregullta kalojnë shifrën me rreth 90 %, ndërtimi i hidrocentraleve pa kritere, ndërtimi i autostradave pa krijuar ura ndërlidhëse në mes të dy anëve të rrugës në mënyrë që të qarkullojë bota shtazore dhe bimore, dhe në krejt këtë rrezik pyjor Kosova ka vetëm 45 përqind sipërfaqe pyjore. Pyjet e Kosovës kanë një faunë dhe florë të gjerë që ka shumë rëndësi për të gjithë rajonin e Ballkanit. Gjelbërimi ynë përfaqëson rreth 25% të florës së Ballkanit dhe asaj të Evropës.

Nëse mendohet se Kosova nuk është ndonjë  faktor për të ndikuar në botë ajo do të përballet me rritjen e temperaturave  dhe mungesa e pyjeve do ta rrisë trendin e tyre, që tregojnë se nga viti 1900 e deri sot ka pasur lëvizje të temperaturave mesatare vjetore me një tendencë rritjeje. Temperatura mesatare vjetore për periudhën 1930-1990 ishte 8.6 gradë celsius, për periudhën 1990-2002 ishte 9 gradë celsius, ndërsa për periudhën 2003-2019, mbi 10 gradë celsius.

Hidrocentrale të shkurta, tubacione të gjata – çorodisin përrenjtë

Kosova për shkak të relievit të saj mbase nuk do të ndikohet direkt nga ‘përballja e Mesdheut’ me ndryshimet klimatike, por ne duhet ta konsiderojmë si problem çështjen e pyjeve dhe ujit. Në vitet e fundit shoqëria jonë është përballur me debatin publik që deri në vitin 2030 do të përballemi me stresin ujor. Sipas të gjitha të dhënave në Ballkanin Perëndimor Kosova është vendi me i varfër sa i përket burimeve ujore në dispozicion me 1,600 metër kub ujë për kokë banori dhe shfrytëzimi i ujërave sipërfaqësore për hidrocentrale për të arritur caqet prej 25% nga burimet e ripërtëritshme në kuadër të Komunitetit të Traktatit të Energjisë, dëmtoi mjaft shumë burimet ujore dhe zonat ku jetojnë banorët.

Shfrytëzimi i burimeve ujore edhe më tutje po konsiderohet i dëmshëm për mjedisin dhe shoqërinë sepse kompanitë e ndërtimit të hidrocentraleve nuk i kanë përfillur standardet dhe ligjet. Shumica dërmuese janë të llojit të hidrocentraleve të vogla që shfrytëzojnë rrjedhën e ujit dhe përdorin tubacione të gjata. Shumica e hidrocentraleve, gjenden kryesisht në vende malore dhe shtrihen në parqe kombëtare si ai i Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna.

Kosova brenda problemit, Kosova jashtë Konventave – as në OKB, as në BE

Pra uji dhe pyjet mbeten dy çështjet vendimtare që do të vazhdojnë të ndikojnë në mjedisin dhe jetën e qytetareve duke u bërë edhe ne pjesë e krizave botërore për klimën dhe rritjen e temperaturave. Kosova indirekt ka ‘dalje’ në det përmes lumenjve dhe ujërave që derdhen në Mesdhe. Sfidat e ujit janë sa lokale aq edhe botërore, që do të sjellin probleme edhe të sigurisë shtetërore. Udhëheqësit e Koalicionit të Ujit dhe Klimës ishin në COP26 për të theksuar urgjencën e sfidave të ujit.

Kosova ende nuk është palë e Konventës Kornizë për Ndryshimin Klimatik (UNFCCC), por është pjesë e proceseve për anëtarësim në BE dhe në mënyrë indirekte plotëson edhe kërkesat që dalin nga kjo Konventë. Nga ana tjetër Raporti i Përparimit për Kosovën nga Komisioni Evropian vazhdon të theksojë se Kosova duhet të zbatojë strategjinë e ndryshimeve klimatike dhe planin e veprimit për ndryshimet klimatike si dhe të përgatisë një udhërrëfyes për përafrimin me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe ‘acquis klimatike’.

Derisa pyjet e vendit po priten pa pikë ndjeshmërie dhe pa menduar për të nesërmen edhe Kuvendi i Kosovës po kontribuon në këtë situatë duke mos miratuar ligjin për pyje. Pyjet mbeten një prej çështjeve kryesore edhe në Glasgow ku më shumë se 100 liderë botërorë premtuan t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030. Prerja e pemëve kontribuon në ndryshimin e klimës sepse varfëron pyjet që thithin sasi të mëdha të gazit ngrohës CO2.

Përfundimi – zgjidhjet e sugjeruara

1. Kosova ka mungesë dhe ndërprerje të vazhdueshme të ujit të pijshëm. Në Kosovë nuk mungojnë të reshurat dhe lumenjtë, por mungon uji. Sepse, pjesa më e madhe e ujit dhe të reshurave të saj nuk mblidhet por shpërndahet përmes lumenjve jashtë kufijve të saj. Kosova është një vend i vogël dhe malor. Klima e saj është kontinentale. Pranverave dhe verave ka reshje të mjaftueshme, madje edhe përmbytje. Por, përsëri ujërat mungojnë, ndërsa përveç dëmeve nga vërshimet zakonisht ndodhin edhe avari në prodhimin e rrymës. Pra, në vend se nga uji i bollshëm të përfitojë e tërë shoqëria, ndodh e kundërta. Nga uji i bollshëm tek mungesa e konsiderueshme e ujit të pijshëm e deri te avaria me rrymë e ndoshta thatësira, pothuajse ekstreme, në disa raste.

Ajo që duhet bërë urgjentisht me ujërat, fillimisht, është, duke krijuar rezervuarët malore, në formën e liqeneve të vegjël, që krijojnë një rrjedhje të ngadalësuar të drenazhimit, dhe kanë formën e fontanave. Këto ujëra mund të menaxhohen për pije, për bujqësi e për blegtori, meqë Kosova është një vend malor, me perspektivë për zhvillimin e fermave dhe fermave malore. Gjithashtu, bota bimore dhe shtazore malore është e pranishme. Këto duhet ruajtur, dhe zhvilluar, pra.

2. Pyjet janë reduktuar në masë të konsiderueshme nga ndërtimet, prerjet e paligjshme dhe erozioni si pasojë e tyre. Prerjet e paligjshme të drurëve malorë për fabrika dhe për ngrohje në stufa (90 përqind e familjeve përdorin fosilet për ngrohje), ka reduktuar hapësirat pyjore ndërsa drunjtë i ka sjellur në zgrip të mbijetesës. Pra, jo e tërë hapësira pyjore, edhe kështu e reduktuar siç e shohim në statistika ku theksohet se është 45 përqind e mbarë Kosovës – është e populluar më pemë dhe drunjë. 

Pyjet duhet të mbrohen urgjentisht me ligj. Me ligj të cilin Kuvendi nuk e miraton që nga viti 2019. Ndërsa, që nga viti ‘99 e këndej nuk ka pasur pothuajse asnjë kujdes ndaj pyjeve. Ndërsa, para vitit ‘99, ka pasur një shfrytëzim të pakontrolluar të pyjeve përmes korrupsionit të organizuar kolonial – eksploatues.

3. Mungesa enorme e ujit së bashku me prerjen e pakontrolluar dhe të çmendur të pyjeve ka ndikuar në zhdukjen e pashmangshme të fushave, arave dhe pyjeve. Ka ndikuar në rritjen e temperaturave dhe ndryshimin gradual të motit. Edhe në Kosovë, plastika, fosilet dhe bërllogjet janë bërë problem i pa-menaxhueshëm. Në qytete tashmë janë krijuar pamje të përditshme me mullarë bërllogjesh. Edhe, uji i ujësjellësit pothuajse është ndotur.
Në ndërkohë, e vetmja mënyrë për prodhimin e rrymës mbetet thëngjilli. Termocentralet dhe djegia e thëngjillit e ka radhitur Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, disa herë ndër qytetet më të ndotura, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë.

Zhdukja e vazhdueshme e drunjëve dhe termocentralet nuk kanë degraduar vetëm pyjet dhe fushat, por mund të themi se e kanë helmuar tashmë ajrin e Kosovës, dhe kanë ndikuar pakthyeshëm në shëndetin e banorëve të tij. Ndryshimi i Klimës tashmë është një kapitull i shkruar, ku ne jemi edhe autorë por mbi të gjitha, protagonist. Ndryshimi klimatik nuk është vetëm mjedisor por edhe shëndetësor.

Pyetja, nuk është a duhet të ndërhyjmë. Pyetja është a mund të bëjmë diçka, dhe nëse po, çfarë mund të bëjmë, përpara se të behet e pamundshme për të intervenuar. Në pjesën e dytë të këtij shekulli mund të mos e kemi këtë shans.  

 

Referencat:

https://www.ammk-rks.net/repository/docs/Raporti_GHG_2014-2019_(final_ueb_version).pdf
https://bbgreenkosova.com/2020/09/28/pyjet-po-vuajne-nga-ndotja-shpyllezimi-dhe-prerja-ilegale/
https://www.ammk-rks.net/repository/docs/2._Treguesit_e_ndryshimeve_klimatike.pdf
https://indep.info/wp-content/uploads/2019/03/HIDROCENTRALET_NE_KOSOVE_PROBLEMET_DHE_POTENCIALI_I_TYRE_REAL_BGF_INDEP.pdf


No comments:

Post a Comment