Sunday, July 12, 2020

Të mbrojtura vërtetë apo vetëm në letër?!

Nga Afrim Berisha

Kosova, nga shumë studiues të huaj dhe vendor konsiderohet si vend me vlera të rralla natyrore. Me qëllim që këto vlera të natyrës të mbrohen, të konservohen dhe të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme tani më është e njohur dhe e dëshmuar praktika e shpalljes së zonave të mbrojtura të natyrës. Edhe Institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje që të adaptojnë dhe implementojnë këto praktika të shpalljes dhe mbrojtjes me ligj të zonave me vlera të veçanta natyrore.

Është Ligji për Mbrojtjen e Natyrës (Ligji Nr. 03/L-233) i miratuar nga Parlamenti i Kosovës, ai i cili i definon zonat me vlera të mbrojtura të natyrës si “pjesë të natyrës të cilat meritojnë mbrojtje të veçantë me qëllim të ruajtjes të larmisë biologjike dhe peizazhore për shkak të ndjeshmërisë së tyre ose për shkak interesit shkencor, kulturor, estetik, arsimor, ekonomik dhe interesave tjera publike”.

Po ashtu bazuar në këtë ligj dhe në klasifikimet standard ndërkombëtare, varësisht prej vlerave që kanë ekzistojnë kategori të ndryshme të zonave të mbrojtura.

Sipas të dhënave që ofron Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës si institucion qëndron për kryerjen e punëve profesionale për zonat e mbrojtura, Kosova ka 98 zona të mbrojtura, prej tyre 11 Rezervate të Natyrës, 2 Parqe Kombëtarë, 81 Monumentet të Natyrës, 2 Parqe te Natyrës dhe 2 Peizazhe te MbrojturaSipërfaqja e  Zonave te Mbrojtura është rreth 125 mijë  ha, ose  rreth 11.4 %  e sipërfaqes  së përgjithshme te Kosovës. Ndërkohë që në procedurë për tu marrë në mbrojtje ligjore janë edhe shumë zona të tjera të kategorive të ndryshme.

Shikuar për nga numri i zonave të mbrojtura dhe sipërfaqja që zënë ato, krijohet përshtypja që Kosova ka sistem shumë efikas të menaxhimit të zonave të mbrojtura të natyrës. Mirëpo nëse e analizojmë çështjen më në hollësi dhe ndalemi të aspekti praktik dhe efikasiteti i implementimit të ligjit të natyrës dhe te respektimi i kritereve për zonat e mbrojtura,  menaxhimi i zonave të mbrojtura lë shumë për të dëshiruar. Në vazhdim të këtij shkrimi do të mundohem të ofrojë disa shembuj që e argumentojnë konkluzionin e mësipërm.

Shembulli i parë ka të bëjë mbase me zonën me të rëndësishme të mbrojtur në Kosovë, Parkun Kombëtarë Sharri. I shpallur në vitin 1986, ky Park për nga vlerat natyrore mundë të krahasohet edhe me Parqet Kombëtare më të njohura të Evropës.

Madje në letër ekziston edhe sistemi i zoonimit në tri zona (zona e parë strikte, zona e dytë e mbrojtjes dhe zona e tretë), mirëpo në praktikë kjo nuk është e zbatueshme. Paku Kombëtarë i Sharrit është i vetmi Park në botë, ku lejohen ndërtimet me materiale betoni dhe ndërtimet të tjera që nuk i gjen askund tjetër. Si për të mos mjaftuar kjo një pjesë e madhe e këtyre ndërtimeve kanë për pronar zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Në zonat strike të Parkut (rezervatet), edhe pse janë të ndaluara të gjitha veprimtaritë, lejohet pastrimi sanitare dhe shfrytëzimi i resurseve tjera natyrore. Madje në hapësirat e Parkut ka edhe gurëthyes dhe veprimtari tjera ekonomike që nuk janë karakteristikë e asnjë parku kombëtarë që është në mbrojtje ligjore. Ka edhe veprime jo ligjore që nuk do të duhej të ndodhin në Parkun Kombëtarë Sharri e edhe në atë të Bjeshkëve të Nemuna, por besoj që kjo është e mjaftueshme për të bërë të ditur se në këto zona nuk respektohen kriteret që i përcakton Kategoria e II e zonave të mbrojtura të e njohur si Park Kombëtar.  


Shembulli i dytë në këtë vështrim i referohet një zone tjetër të rëndësishme të natyrës, statusi ligjor dhe kategoria e së cilës ka ndryshuar disa herë.

E cilësuar si një nga perlat e trashëgimisë natyrore të Kosovës, Ujëvarat e Mirushës, dikur kishin statusin e Parkut Regjional, më vonë u adaptuan në statusin e Parkut të Natyrës e tash së fundi si Monument i veçantë i natyrës.

Bazuar në statusin ligjor që ka, vlerat natyrore që posedon dhe praktikat e vendet të Evropës, kjo zonë patjetër do të duhej të kishte një organ menaxhues.

Mirëpo, ajo vazhdon të jetë në “menaxhimin e askujt” edhe pse institucionet qendrore mjedisore dhe komunat në të cilat shtrihet Mirusha, mundohen të mbajnë nën monitorim gjendjen e saj.

Hiq, më e mirë nuk është situate as në Parkun e Gërmisë, që shumëkush e quan “mushkëritë e Prishtinës”. Për këtë zonë mjafton të përmendet rasti i ndërtimit të Qendrës Protokollare për Kuvendin e Kosovës, dhe menjëherë mundë të kuptosh se si dhe sa janë zbatuar kriteret dhe vendimet që e kanë marrë ne mbrojtje këtë zonë.

E madje, edhe vetë institucionet që është dashur të ngrisnin zërin për mbrojtjen e saj kanë qenë aktorët kryesorë të këtij keqmenaxhimi.  Po besoj qe e kuptoni që e kam fjalën për Kuvendin e Kosovës dhe Komunën e Prishtinës. Bile kjo e dyta e menaxhon Parkun e Gërmisë përmes ndërmarrjes “Hortikultura”.

Mbase shembulli më i keq i menaxhimit të një zone të mbrojtur është, shembulli i asaj që ende vazhdon të quhet “mbretëresha e bukurive nëntokësore të Kosovës”. Është fjala për Shpellën e Gadimes, e cila ka statusin e monumentit të mbrojtur të natyrës.

Përkundër faktit se Shpella e Mermertë në Gadime, është zonë me vlera kombëtare, përkundër faktit se është shpallur monument natyre me interes të përgjithshëm, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe institucioneve tjera relevante, menaxhimi i saj ende është lënë në në mëshirën e një “personi”, që nuk i jep llogari dhe përgjegjësi askujt, dhe që sillet me këtë vlerë natyrore kombëtare sikurse të jetë pronë e tij.

Shembuj të tillë të keqmanaxhimit të zonave të mbrojtura të Kosovës ka me bollëk, bile në nivelin lokal gjendja është edhe më e keqe. Shumica e komunave lëre që nuk brengosen për zonat e mbrojtura të natyrës por as nuk i dinë se cilat janë ato zona menaxhimi i të cilave është në përgjegjësi të tyre.

Edhe një fakt tjetër që shkon në favor të kësaj që u tha më lartë është edhe pozita aktuale e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës si institucion qëndron që ka mandatit për monitorimin e gjendjes së zonave të mbrojtura, koordinimin dhe kryerjen e punëve profesionale për këto zona. Dikur ky institut numëronte rreth 20 zyrtarë të profileve të ndryshme, e sot numëron vetëm 3 zyrtarë!

Dhe fare në fund të këtij shkrimi mundë të thuhet lirisht se gjendja e tillë e krijuar rreth menaxhimit të zonave të mbrojtura ngritë shumë pikëpyetje e dilema, bile edhe të tilla që të shtyjnë të mendosh se a janë shpallur këto zona të mbrojtura të natyrës vetëm sa për të plotësuar obligimin ligjor, a janë shpallur ato sa për të prodhuar shifra e numra e përmes këtyre numrave për të plotësuar kritere e standard, apo janë shpallur vërtet me qëllimin për të konservuar dhe mbrojtur vlerat natyrore që bartin në vete këto zona ?!

Botuar, në formatin elektronik të Gazetës Express www.gazetaexpress.com  dhe në portalin e agjencisë së lajmeve www.ekonomia-ks.com


No comments:

Post a Comment