Nga Afrim Berisha
Përkundër investimeve, masave dhe fushatave trendi
i krijimit te deponive ilegale është në rritje nga viti në vit.
Numri i madh i
deponive ilegale të mbeturinave vazhdon të jetë një ndër problemet më të mëdha
në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe raporti i fundit i publikuar nga Agjencia për
Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, me mbështetjen e Organizatës Gjermane për
Shoqëri të Hapur – GIZ.
Sipas Raportit
Menaxhimi i Mbeturinave Komunale në Kosovë, në vitin 2019 janë identifikuar
2529 deponi ilegale të mbeturinave. Ky numër është për 957 më i madh krahasuar
me vitin 2017.
Nga 2529 deponi
ilegale që janë identifikuar, sipas vlerësimit, 39% janë deponi të mëdha, 32%
janë deponi të mesme, ndërsa 29% janë deponi të vogla.
Sipas llojit të
mbeturinave, 49% e deponive ilegale janë nga mbeturinat komunale, 37% janë nga mbeturinat
e ndërtimit dhe demolimit, 7% janë nga mbeturinat e rrezikshme dhe industriale,
4% janë nga mbeturinat e vëllimshme dhe 6% janë nga mbeturinat tjera.
Sipas të dhënave të prezantuara në raport, rajoni i Gjakovës e ka numrin më të vogël të deponive ilegale (118), ndërsa rajoni i Prishtinës e ka numrin më të madh të deponive ilegale (582).
Raporti vlerëson
se mesatarja e gjenerimit të mbeturinave komunale për kokë banori në Kosovë është
0.78 kg/banorë/ditë, ndërsa shkalla e mbulushmërisë me shërbimin e grumbullimit
të mbeturinave në nivel të vendit është rreth 71%. Shkalla e ndarjes së mbeturinave në burim mbetet ende në nivel të ulët me
vetëm 6.8 % të amvisërive që kanë qasje në këtë shërbim,
Në kuadër të gjetjeve kryesore raporti thekson se numri i deponive ilegale
është në rritje nga viti në vit dhe se rritja e shkallës së mbulimit me shërbim dhe se fushatat e pastrimit te
deponive ilegale nuk mjaftojnë për të ndalur trendin e krijimit të deponive të
reja ilegale.
Brengos fakti
se në uljen e numrit të deponive ilegale nuk kanë dhënë rezultate masat e ndërmarra
nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë e as investimet e donatorëve.
Rikujtojmë se
gjatë vitit të kaluar me qëllim të reduktimit të numrit të deponive ilegale në Kosovë
ishte realizuar fushata “Ta pastrojmë Kosovën”, e mbështetur nga Qeveria e
Kosovës përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, projekt ky në
vlerë rreth 800 mijë euro.
Organizata
“Let’s Do It Kosova”, si implementuese e projektit kishte raportuar se gjatë
tre muajve të implementimit të projektit (15 shtator 2018 – 15 dhjetor 2018), ishin
angazhuar mijëra vullnetarë, dhe ishin larguar 803 deponi ilegale në të gjithë
Kosovën.
Në mbështetje
të aktiviteteve për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave ishin ndarë
edhe grante për komunat më aktive dhe më të suksesshme. Ministria e Mjedisit
dhe Planifikimit Hapësinor, bashkë me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim
Ndërkombëtar “GIZ” dhe Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë, në fillim të këtij
viti kishin lansuar grantin 7 milionësh për menaxhimin e mbeturinave.
“Projekti Granti i Performancës- Mjedisi i Pastër”, ishte lansuar për të përkrahur komunat që tregojnë performancë të mirë sipas kritereve të caktuara, duke u nisur nga zbatimi i legjislacionit në fushën e menaxhimit të mbeturinave, hartimi dhe miratimi i planeve menaxhuese të mbeturinave, zbatimi i udhëzimit për ndëshkime me gjoba mandatore, eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave, krijimi dhe mirëmbajtja e zonave të gjelbra, ofrimi i shërbimeve cilësore në fushën e menaxhimit të mbeturinave si dhe mbledhja dhe riciklimi i mbeturinave.
Rezultatet e
pritura për të parandaluar krijimin e deponive të reja ilegale nuk dha as
fillimi i zbatimi të Udhëzimit Administrative për ndëshkime me gjoba mandatore
(UA MMPH Nr. 06/2018).
Organizata
“Let’s Do It Kosova” si monitoruese e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për
Gjoba Mandatore, duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga inspektorët komunal
mjedisor dhe qendror, në shtator të këtij viti kishte raportuar se: “gjatë muajve korrik dhe gusht ishin
shqiptuar 310 gjoba gjithsej që shënonte një trend në rritje të shqiptimit të
gjobave krahasuar me muajt maj-qershor, me 243 gjoba gjithsej”.
Raporti
Menaxhimi i Mbeturinave Komunalë në Kosovë, krahas vlerësimeve dhe gjetjeve jep
edhe disa rekomandime për përmirësimin e gjendjes së menaxhimit të mbeturinave.
Mes tjerash
raporti rekomandon që:
- Niveli lokal duhet mbështetur në plotësimin e
kapaciteteve teknike për mbulim të
gjithë territorit me shërbim të grumbullimit dhe transportit të
mbeturinave.
- Për të mundësuar zhvillim të balancuar donatorët
apo qeveria duhet mbështetur ato komuna apo rajone që janë më mbrapa në
realizim të detyrimeve ligjore në menaxhim të mbeturinave.
- Duhet komunikim më i
shpeshtë dhe me strategji me qytetarë lidhur me detyrimet ligjore të ndotësve,
parimeve të vendosura me ligj dhe në veçanti ndotjen e mjedisit e pasojat
afatgjata të këtyre veprimeve.
- Komunat duhet të mbështeten edhe në procesin e
ndarjes së mbeturinave në burim dhe
drejt ekonomisë qarkore.
No comments:
Post a Comment