Thursday, March 17, 2022

Ambientalisti zgjidhet përfaqësuesi special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor

Eksperti i Evropës Lindore i të Gjelbërve, Manuel Sarrazin, bëhet përfaqësuesi special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor. Atë e presin shumë çështje të hapura në rajon. Tani është zyrtare. Politikani i ekologjist i Partisë “Të Gjelbërit” Manuel Sarrazin është përfaqësuesi special i qeverisë federale për Ballkanin Perëndimor që nga 1 marsi i këtij viti. “Veçanërisht në situatën aktuale, stabiliteti dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është prioriteti kryesor strategjik i Gjermanisë”, tha, sipas një deklarate për media, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock të mërkurën (02.03) në Berlin, duke shpjeguar vendimin e qeverisë gjermane për të krijuar një post shtesë për Ballkanin Perëndimor. “Si qeveri federale, ne kemi krijuar postin e të dërguarit të posaçëm në mënyrë që të punojmë së bashku me gjashtë shtetet për t’u ofruar atyre mbështetjen më të mirë të mundshme në proceset e reformave”, vijoi Baerbock.

“Ballkani Perëndimor është zemra e Evropës”

Në rrjetet sociale lajmi ishte përhapur qysh më parë. Politikania evropiane e të Gjelbërve, Viola von Cramon, ishte nga të parat që e uroi kolegun e partisë së saj, duke shpjeguar njëkohësisht se përse ky ishte personi i duhur për këtë post.

“Ballkani Perëndimor ka nevojë për një mbështetje të fortë dhe parimore në BE dhe askush nga Të Gjelbrit në Gjermani nuk është më i përshtatshëm për këtë detyrë , sepse ai është një mbështetës i vendosur i zgjerimit të BE,” shkroi von Cramon nëpërmjet Twitterit, qysh më 18 shkurt.

Vetë Sarrazini iu përgjigj të mërkurën mesazhit zyrtar të Ministrisë së Jashtme me një mesazh të shkurtër në Twitter: “Ballkani Perëndimor nuk është vetëm në zemër të Evropës, për mua ai është zemra e Evropës, me të gjashtë shtetet anëtare. Jam i lumtur për emërimin tim si i dërguari special për Ballkanin Perëndimor”, shkroi ai.

Ekspert i Evropës Lindore

Politikani 40-vjeçar i Partisë “Të Gjelbrit” është aktualisht President i Shoqatës për Evropën Juglindore me qendër në Mynih. Në dy periudhat e mëparshme legjislative, ai ka qenë deputet në Bundestag dhe vazhdimisht një zë i fortë për Ballkanin Perëndimor për të Gjelbrit. Një detyrë, në të cilën ai hyri rastësisht, nga fusha e Evropës Lindore. Ai ka studiuar histori, studime të Evropës Lindore dhe drejtësi fillimisht në Universitetin e Bremenit dhe më pas në Universitetin e Hamburgut dhe është një nga ekspertët më aktivë të Evropës Lindore te partia e Gjelbër.

Një ekspertizë që do t’i duhet edhe në postin e tij të ri, thotë Engjellushe Morina, eksperte në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Berlin. Sidomos në rrethanat e krizës së Ukrainës, pritet që Gjermania të mbajë një qëndrim më të qartë ndaj Serbisë.

“Shpresoj se qeveria federale dhe zoti Sarrazin do t’i thonë shumë qartë Serbisë se ajo nuk mund të jetë më “neutrale””, edhe në anën e Perëndimit dhe në anën e Rusisë”, i tha Morina DW duke pasur parasysh refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve të vena ndaj Rusisë nga Perëndimi.

Shumë çështje të hapura

Me emërimin e Sarrazinit, Gjermani dëshmon rëndësinë e veçantë që i jep tashmë Ballkanit Perëndimor. Ai do të mbështesë Miroslaw Lajçakun, të ngarkuarin special për dialogun Serbi -Kosovë si edhe të dërguarin e OKB-së në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmdit, thuhet në daklaratën e ministrisë së jashtme. Krahas tyre janë edhe Gabriel Escobar (SHBA) dhe Stuart Peach (Britania e Madhe) që po punojnë në emër të Perëndimit për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor.

“Kriza e Ukrainës i ka thelluar edhe më shumë hendeqet në rajon”, thotë Gresa Hasa, politologe nga Tirana dhe aktiviste feministe – siç preferon të vetëprezantohet ajo. “Në ditët e fundit, Ambasada Ruse në Sarajevë ka lëshuar një breshëri kërcënimesh kundër sovranitetit të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa Kosova, e cila ende nuk është njohur nga pesë vendet anëtare të BE-së, është drejtpërdrejt e ekspozuar ndaj çdo përpjekjeje për të destabilizuar rajonin,” përshkruan ajo. gjendjen aktuale në rajon.

Por pikërisht tani, kur Perëndimi është më i bashkuar se kurrë më parë, ekziston edhe një shans që të sqarohen pozicionet e pazgjidhura më parë brenda BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, thotë Hasa.

“Z. Sarrazin mund të angazhohet për të bindur edhe pesë anëtarët e mbetur të BE-së që ta njohin Kosovën, Serbinë që të njohë krimet e regjimit të Milosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut të mos ndërtojnë struktura paralele me BE-në siç është projekti i Ballkanit të Hapur”, thotë Hasa.

Burimi i informacionit: DW

No comments:

Post a Comment