Nga Afrim Berisha
Ekoturizmi ose i njohur edhe si turizmi ekologjik është lloj i turizmit që ka për qëllim udhëtimet në vendet e paprekura natyrore, zonat e mbrojtura ose atraksionet tjera natyrore dhe që zakonisht përpiqet të minimizojë ndikimin në mjedis. Ai ka për objektiv edhe të promovojë edukimin mjedisor, të sigurojë fonde për ruajtjen e natyrës, të ndihmojë zhvillimin ekonomik, fuqizimin e komuniteteve lokale si dhe të nxis respektin për kulturat e ndryshme.
Ekoturizmi tërheq ata që janë të etur të ndjekin rrugët më pak të shkelura, të shohin drejtpërsëdrejti thesaret natyrore, të prehen në fshat, dhe të kënaqen nga kuzhina tradicionale.
Ky lloj i turizmit i dedikohet në radhë të parë atyre që joshen nga vendet që ofrojnë bukuri të rralla natyrore dhe llojllojshmëri të botës bimor e shtazore, por edhe ata që kënaqen nga veprimtaritë që zhvillohen në natyrë sikur janë biçiklizmi, ngjitjet malore, kalërimi, noti, peshkimi, kampingu dhe shëtitjet.
Pra, ekoturizmi përveç kënaqësisë që ofron synon gjithashtu zhvillimin e një vetëdije më të madhe dhe të përgjegjësisë ndaj mjedisit, duke promovuar përdorimin e transportit të organizuar, pastrimin e mbeturinave, kursimin e ujit etj.
Për Kosovën ekoturizmi është një dukuri e re por në shumë vende të botës ky lloj turizmi është shtyllë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Kosova shquhet për vlera të rralla të trashëgimisë natyrore. Pozita gjeografike, relievi, klima, burimet ujore, peizazhet, grykat e kanionet, bota e pasur bimore dhe shtazore janë parakushte ideale dhe potencial i lartë për zhvillimin e ekoturizmit. Kosova veçanërisht ka mundësi të mira të zhvillimit të ekoturizmit të shpellave, ekoturizmit malorë, ekoturizmit rekreativ-sportiv, ekoturizmit verorë, ekoturizmit rural dhe atij edukativ.
Ekoturizmi i shpellave
Për opinionin e gjerë janë të njohura bukuritë natyrore të Shpellës së Gadimes, e cila njëherit është edhe ndër atraksionet më të mëdha turistike në vend. Mirëpo Kosova ka edhe disa shpella të tjera dhe përmirësimi i infrastrukturës së tyre do të ofronte kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit të shpellave. Të tilla janë për shembull Shpella Gryka e Madhe, Shpella e Panorcit, Shpella e Pjetërshticës, Shpella e Radavcit etj.
Ekoturizmi malor dhe ecja në natyrë
Në zonat e thella malorë të Kosovës ekzistojnë shumë shtigjet malore te cilat përdorën blegtoret për bagëtitë e tyre dhe të cilat paraqesin mundësi reale për zhvillimin e ecjes ne natyre, shëtitjeve malore me biçikleta por edhe të ekspeditave dhe kampingjeve. Përveç Maleve të Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna, ky lloj i turizmit mundë të zhvillohet edhe në Bjeshkët e Shalës së Bajgores, Vargmalet e Berishës, Malet e Jezercit etj.
Ekoturizmi rekreativ dhe sportiv
Në Malet e Sharrit, në Bjeshkët e Nemuna por edhe në zona tjera malore të Kosovës, gjinden shumë terrene të përshtatshme për zhvillimin e skitarisë. Kapaciteti i terreneve të skijimit te këtyre qendrave mund të pranojnë me mijëra vizitorë gjatë sezonit të dimrit. Ndërsa gjatë verës në Malet e Sharrit dhe në Bjeshkët e Nemuna ka plot maja të cilat janë shumë atraktive për zhvillimin e alpinizmit dhe bjeshkatarisë.
Ekoturizmi veror dhe njëditor
Klima e përshtatshme, livadhet e pasura me llojllojshmërinë e bimëve, burimet e shumta ujore, peizazhet piktoreske janë parakusht i mire edhe për zhvillimin e turizmit veror dhe kampingut.
Liqenit i Breznes, Liqeni i Batllaves, Kanioni i Mirushës, Gryka e Rugovës janë vetëm disa nga zonat që gjatë stinës së verës mundë të jenë destinacion i përhershëm i shumë turistëve dhe adhuruesve të natyrës që dëshirojnë të kalojnë një ditë në natyrë.
Turizmi rural
Në shumë zona rurale të Kosovës, e sidomos në ato malore ende ruhen shumë zakone, tradita, lojëra, këngë, veshje e ushqime tradicionale. Këto pasuri të jashtëzakonshme kulturore janë një mundësi e mirë e zhvillimit të turizmit rural dhe promovimit të këtyre vlerave. Në veçanti për këto vlera shquhen fshatrat malore që shtrihen në Malet e Sharrit e sidomos ato që i takojnë komunës së Dragashit.
Turizmi edukative dhe shkencor
Ekosistemet e paprekura malore, prania e llojeve të rralla bimore e shtazore, shpellat e pa hulumtuara, kanionet, rrjedhat e shumta ujore dhe pasuritë nëntokësore të Kosovës kanë potencial edhe për zhvillimin e aktiviteteve edukative e kërkimore me nxënës, studentë dhe shkencëtareve nga Kosova por edhe për ekspedita të huaja hulumtuese.
Përkundër këtyre vlerave të jashtëzakonshme dhe mundësive idealë për zhvillimin e ekoturizmit, mungesa e infrastrukturës, mungesa e investimeve, mungesa e planeve dhe projekteve konkrete ka penguar zhvillimin e kapaciteteve ekoturistike. Problem i veçantë është qasja që institucionet qeveritare dhe shoqëria kosovare ka ndaj shfrytëzimit të qëndrueshëm të këtij potenciali. Shfrytëzimi i pakontrolluar i resurseve natyrore, dëmtimi i ekosistemeve, gjuetia ilegale, zgjerimi i vendbanimeve janë kërcënim i vazhdueshëm për këto vlera. Me një promovim më profesionale të zonave ekoturistike, me rritjen e investimeve dhe me përgatitjen e një strategjie kombëtarë për zhvillimin e ekoturizmit Kosova mundë të jetë një vend shumë atraktiv ekoturistik.
Botuar me datën 25.07.2012, në Gazetën Express, Gazetën Lajm, Gazetën Tribuna Shqiptare, Gazetën Epoka e re, Gazetën Kosova Sot dhe në portalin Telegrafi.com (
No comments:
Post a Comment