Sunday, July 19, 2020

A guxojmë të flasim për Ekonominë e Gjelbër?

Nga Afrim Berisha

Ekonomia e gjelbër promovon një linjë të zhvillimit në tri shtylla e cila mundë të përkufizohet si zhvillim dhe avancim i qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor. 

Këtë vit Organizata e Kombeve të Bashkuara ka zgjedhur të shënojë 5 Qershorin - Ditën Botërore të Mjedisit me moton “Ekonomia e Gjelbër- A jeni të përfshirë edhe Ju?”. Shënimi i kësaj ngjarje të rëndësishme globale për mjedisin nën ombrellën e kësaj motoje synon të tregojë rëndësinë e madhe që ka ekonomia e gjelbër në mbrojtjen e mjedisit.

Përndryshe, ekonomia e gjelbër është një koncept i ri në terminologjinë mjedisore i cili gjithnjë e më shumë po gjen zbatim në promovimin e çështjeve të mbrojtjes së mjedisit dhe zvogëlimit të ndikimit në mjedis nga sektorët e ndryshëm zhvillimorë. 

Po ashtu Ekonomia e gjelbër mund të konceptohet edhe si një vizion i ri zhvillimit ekonomik përmes së cilës gjenerohet një rritje ekonomike e qëndrueshme me ndikim pozitiv në jetën sociale dhe në mbrojtjen e mjedisit duke u bazuar në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm. 

Pra ekonomia e gjelbër promovon një linjë të zhvillimit në tri shtylla e cila mundë të përkufizohet si zhvillim dhe avancim i qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor. 


Mirëpo duke u bazuar në problemet ekonomike globale me të cilat po përballen shumë vende të botës në mesin e të cilave edhe ato të zhvilluara, dhe duke pasur parasysh situatën aktuale të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe qasjen që kemi në trajtimin e çështjeve mjedisore, zbatimi i parimeve të ekonomisë së gjelbër rrjedhimisht parashtron shumë pyetje që kërkojnë përgjigjeje si: 
A është ekonomia e gjelbër, nevojë, domosdoshmëri apo ndoshta edhe luks për Kosovën? Si do të ndikonte ajo në ekonominë e Kosovës, a do të ketë rritje apo ngecje të zhvillimit ekonomik? A do të gjeneronte vende të reja të punës apo ndoshta do të thellohej edhe më tej çështja e papunësisë? Si do të kuptohej ky koncept nga klasa politike dhe nga qarqet tjera vendimmarrëse? Sa do të përmirësohej gjendja e mjedisit nëse zbatohet ajo? ... dhe shumë pyetje e dilema tjera që kërkojnë përgjigjeje, ne mesin e të cilave edhe një shumë e thjeshte: A është koha e duhur dhe a guxojmë ne të flasim për ekonominë e gjelbër? 
A guxojmë të flasim për ekonomi të gjelbër përkundër faktit që Kosova e ka të orientuar zhvillimin e saj ekonomik në shfrytëzimin e burimeve fosile të energjisë ndërkohë që ekonomia e gjelbër kërkon shfrytëzimin e burimeve të ripërtritshme. 

A guxojmë të flasim për ekonomi të gjelbër përkundër faktit se pjesa më e madhe e mbeturinave tek ne shkon në deponi ndërkohë që ekonomia e gjelbër rekomandon riciklimin dhe ripërdorimin e plotë të tyre. 

A guxojmë të flasim për ekonomi të gjelbër, përkundër faktit që ky koncept kërkon që parimet e tij të merren parasysh në të gjitha strategjitë, planet dhe programet zhvillimore e tek në shumicën e këtyre dokumenteve as që mundë të gjesh fjalinë Ekonomi e gjelbër... 

Natyrisht që për të dhënë përgjigjeje në këto pyetje dhe në shumë të tjera të ngjashme do të duhej të bëhej një studim më i thellë dhe më i detajuar, do të duhej më tepër debate e diskutime dhe nuk do të mjaftonte që ky problem të trajtohej vetëm përmes disa opinioneve. 

Prandaj edhe qëllimi këtij shkrimi nuk është të ofrojë përgjigjeje në të gjitha këto dilema, por përmes këtij shkrimi do të mundohem të sjellë vetëm disa shembuj të mirë të zbatimit të parimeve të ekonomisë së gjelbër në botë. 

Kështu, sipas Greenpeace, investimet në energjitë e pastra dhe në eficiencën energjetike në dhjetë vitet e ardhshme në Evropë do të krijonin shtatë herë më shumë vende pune, krahasuar me investimet që do të bëheshin për ruajtjen e vendeve të punës në sektorin qymyrit dhe atë bërthamor. 

Pra, kalimi nga energjitë që e “kërcënojnë” mjedisin në ato të "pastra" dhe efiçenca energjetike jo vetëm që do të shmangnin shkarkimin e 470 milionë tonë dyoksid karboni, por do të krijojnë 30% më shume pune miqësore me mjedisin ose mbi 380,000 vende të reja pune. 
Një shembull tjetër është ai i Zvicrës, ku sektori i teknologjisë së "gjelbër" punëson rreth 160 mijë veta ose 4,5% të popullsisë aktive. Nga ky sektor, në çdo vit gjenerohet një vlerë e shtuar prej 18-20 miliardë frangash, shifër kjo e barabartë me 3-3,5% të GDP-së kombëtare. 

Ose shembulli që jep Raporti për Gjendjen e Mjedisit të Evropës për vitin 2010, ku thuhet se “industria e riciklimit evropian mbanë 50 % të tregut global në këtë fushë dhe ajo ka rritur punësimin për 10 % vetëm gjatë këtij viti, dhe atë kryesisht për punëtorët e pakualifikuar”. Shembuj të aplikimit të parimeve të ekonomisë së gjelbër mundë të gjejmë edhe në sektorin e turizmit. 
Dy raste shumë të mira janë Austria dhe Zvicra, të cilat janë ndër vendet që zhvillimin e tyre ekonomik e kanë të bazuar në masë të madhe në turizëm edhe pse nuk kanë bregdet, por kanë male dhe bukuri natyrore. 
Një shembull tjetër na ofron një studim i financuar nga Komisioni Evropian i cili ka përllogaritur se humbja financiare që rezulton nga humbja e kapitalit natyror, shkon nga 2-5 triliardë dollarë amerikanë në vit, shumë kjo që është disa herë më e madhe sesa humbja prej 1.5 triliardë dollarësh nga kriza financiare që një vit më parë preku botën. 
Ose edhe shembulli i Bankës Botërore e cila në vitin 2008 doli me një konstatim, se 88 % e të gjitha sëmundjeve në botë shkaktohen nga uji i ndotur. Madje specialistët e kësaj organizate konstatuan se faktori i kushteve higjenike është një nga më të rëndësishmit për zhvillimin ekonomik, për faktin se uji i ndotur shton ngarkesën për shërbimin shëndetësor të një vendi. 
Tutje hulumtimi vuri në pah se "Një dollar, që investohet në impiantet sanitare dhe në higjienë, sjell në Azi dhe Afrikë mesatarisht nëntë dollarë fitim, sepse miliona njerëz nuk do të merreshin më me problemet katastrofale të ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm për të mbijetuar, por do ta shfrytëzonin energjinë për zhvillimin e vet ekonomik dhe të shoqërisë”. 

Pra, praktikat e deritanishme kanë dëshmuar se zbatimi i konceptit të ekonomisë së gjelbër, përveç se ka mbrojtur mjedisin ka sjellë edhe përfitime në të gjithë sektorët zhvillimor. Madje disa ekspertë supozojnë se Ekonomia e gjelbër është e vetmja rrugëdalje nga kriza globale ekonomike. 

Me rastin e 5 Qershorit- Ditës Botërore të Mjedisit, Botuar me 6 Qershor 2012, në Gazetën Express, Gazetën Tribuna Shqiptare, Gazetën Epoka e re, Gazetën Kosova sot dhe në portalin Telegrafi.com (https://telegrafi.com/a-guxojme-te-flasim-per-ekonomine-e-gjelber/)

No comments:

Post a Comment