Friday, May 12, 2023

Ndryshimi i kurrikulave për ndryshimet klimatike

Dr. Zeqir Veselaj, Ligjërues i Edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës

Në kuadër të projektit është bërë një hulumtimi me 308 student të 12 universiteteve publike e kolegjeve private dhe 49 fakulteteve respektive mbi qëndrimet, njohuritë dhe besimet e tyre mbi ndryshimet klimatike Vjeshta e vitit 2022 erdhi me paralajmërimet nga shumë burime për një krizë të mundshme energjetike dimërore si pasojë e situatës globale me tregun e energjisë që erdhi me luftën në Ukrainë. Qytetarët e brengosur blenë burime për ngrohje me çmime pothuajse të dyfishuara duke iu frikësuar ashpërsisë së dimrit. Megjithatë, dimri i këtij viti do të mbahet mend si dimri pa borë. Kjo pasi shumicës së kosovarëve të zonave më të ulta, këmba në borë u shkeli tek në javën e parë të prillit, pra dy javë pasi kishim hyrë në pranverën kalendarike. Përveç se bora erdhi vonë, ajo e solli edhe një të ftohtë që zgjati e që nuk ishte i zakonshëm për këtë periudhë të vitit.

Kosova, sivjet u ballafaqua me vërshimet më të mëdha të dekadave të fundit. Përveç pamjeve që në momente ngjanin me cunamin japonez, kishte edhe dy të veçanta në këto vërshime. E para, vërshimet ishin jashtë shtrirjes së tyre stinore, pasi ato ndodhin kryesisht në pranverën e hershme me shkrirjen e borës dhe vjeshtën e vonë me shirat e para të dendura. E dyta lidhet me gjeografinë e ndodhjes së tyre: Mitrovica dhe Skënderaj me pasojat më të rënda sivjet, nuk kanë qenë të njohura si zona vërshimesh kaq të mëdha si ndosh në komunat e Dukagjinit. Fatmirësisht, viktima në njerëz nuk pati, por dëmet ekonomike të familjeve kosovare u llogaritën me miliona.

A po përgatitemi për t`u ballafaquar me ndryshimet klimatike

Pavarësisht se shtet me territor të vogël, Kosova po ballafaqohet gjithnjë e më shpesh me thënien e njerzëve se “nuk e mbajmë mend kështu”: temperatura ekstreme, cikël i çrregulluar reshjesh, shtërngata e stuhi, stinë pranvere e vjeshte pothuajse të “pavërejtshme” të reduktuara në disa ditë tranzitore mes dimrit dhe verës. Raportimet e disa dekadave të monitorimit nga Instituti Hidrometeorologjik në indikatorët e matshëm mjedisor tregojnë trende për rritje progresive të temperaturës mesatare dhe rënie të mesatares të reshjeve. Shkarkimet e CO2 si shkaktari kryesor i efektit serrë, në Kosovë kanë shënuar rritje prej 10,164 Gg CO2 në vitin 2016 nga 9,489 Gg CO2 ekuivalent sa ishte në vitin 2008. Nga kjo perspektivë hapat e shtetit të Kosovës janë shumë të pakta. Kosova ende s`ka ligj për ndryshimet klimatike, ndërsa kjo çështje “rregullohet” përmes ligjeve tjera. Kjo në vete tregon edhe se çfarë rëndësie i jepet problemit më serioz të kohës tonë.

Raportet e Progresit të BE-së për pesë vitet e fundit raportojnë mungesë progresi (no progres) ose progres të kufizuar (limited progres) në fushën e ndryshimeve klimatike. Të vetmet punë të kryera mund të llogariten miratimi i Strategjisë për Ndryshimet Klimatike 2019-28 (përfshirë Planin e Veprimit i cili ka skaduar) si dhe Inventarit të Gazeve me Efekt Serrë sipas sektorëve i vitit 2014. Strategjia ka një vizion tepër ambicioz: zero emisione gaze me efekt serrë deri me 2050. Nga aspekti administrativ, sektori i ndryshimeve klimatike pranë Ministrisë së Mjedisit mbulohet nga vetëm një zyrtar, madje edhe ai i transferuar nga një sektor tjetër gjatë riaranzhimeve institucionale. Këshilli Kombëtar për Ndryshime Klimatike është funksional në letër e sipas Raporteve të Progresit të BE-së por ka dështuar që t`i shtyjë ndryshimet klimatike në politikat sektoriale si energjetika, transporti, industria, mbeturinat etj. Me përjshtim të Strategjisë Shtetërore të Ujërave, asnjë nga strategjitë sektoriale nuk i trajton ballafaqimin me ndryshimet klimatike brenda orientimeve politike.

Sa janë të përfshira ndryshimet klimatike në programet studimore

Studimi i bërë nga Instituti për Hulumtim dhe Zhvillim të Arsimit të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës lidhur me përfshirjen e ndryshimeve klimatike në kurrikulat e arsimit tëlartë tregoi për një mungesë të theksuar në titujt e kurseve të analizuar. Hulumtimi i mbështetur nga programi HERAS+, analizoi 101 programe studimore të shtatë universiteteve publike dhe pesë kolegjeve private. U analizuan 239 kurse të niveleve Bachelor dhe Master që në emërtimin e tyre kishin ndonjë nga fjalët kyçe: ndryshime klimatike, mjedis, ambient, ekologji dhe zhvillim i qëndrueshëm. Nga baza e të dhënave e krijuar, rezultat shqetësues ishte se ekziston vetëm një kurs me emërtimin ndryshimet klimatike (Energjia dhe ndryshimet klimatike) që realizohet si kurs ndërkurrikular pranë Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës. Të tjerat kurse sigurisht se kanë përmbajtje të ndryshimeve klimatike brenda syllabuseve (kapituj, seksione) por nuk ka qenë në objektivat e hulumtimit të shkohet deri në këtë nivel analize. Një kurs i vetëm për ndryshimet klimatike në përgatitjen e kuadrove nga fusha ekologjike, mjedisore, inxhinierike, ekonomike, juridike, shëndetësore e bujqësore sigurisht se është shumëpak për një sfidë globale e cila po përkeqësohet për çdo vit e më shumë. Sfidë që do përgjigje.

Qëndrimet, njohuritë dhe besimet e studentëve mbi ndryshimet klimatike

Në kuadër të projektit është bërë një hulumtimi me 308 student të 12 universiteteve publike e kolegjeve private dhe 49 fakulteteve respektive mbi qëndrimet, njohuritë dhe besimet e tyre mbi ndryshimet klimatike. Sipas perceptimeve të ¾ të studentëve, mjedisi qoftë ai global apo në nivel vendi ka pësuar përkeqësim ose përkeqësim të madh në dekadën e fundit. Pjesa tjetër kanë vlerësuar përmirësim ose “status quo” të gjendjes mjedisore në të dy nivelet.

Sa i përket burimit të informacionit dhe njohurive për studentët siç edhe pritej, në vendin e parë është interneti dhe rrjetet sociale (për 82.1%), në vendin e dytë del arsimimi paraprak i studentëve (72.5%) ndërsa lajmet dhe dokumentaret televizive del të jenë burimi i tretë (për 57.5%). Dy burimet me më së paku kontribut në informacionin dhe njohuritë e studentëve janë revistat (6.8%) dhe gazetat (10.7%) që d.m.th. se materialet e shkruara në lidhje me ndryshimet klimatike nuk lexohen nga studentët. Kjo lidhet mbase edhe me mungesën aktuale në tregun medial të Kosovës të gazetave dhe revistave të shtypura por edhe se koha moderne ka zhvendosur të lexuarin nga letra në leximin në paisjet e teknologjisë informative.

Njerëzit sot i pranojnë ndryshimet klimatike, ashtu siç ka edhe të tillë që nuk besojnë se ato janë një realitet dhe projekti ka hulumtuar besimet e studentëve. Sa i përket besueshmërisë, del se 1/3 e studentëve plotësisht (100% të bindur) besojnë në ndodhjen e ndryshimeve klimatike. Besueshmëri të lartë (50%-90%) mbi ndodhjen e ndryshimeve klimatike kanë 43% ndërsa 1/5 e studentëve kanë besueshmëri më të ulët se 50% dhe besojnë se ndryshimet klimatike megjithatë janë duke u ekzagjeruar nga ambientalistët. Pra rreth 80% e studentëve kosovar besojnë plotësisht ose mjaftueshëm në realitetin e ndryshimeve klimatike.

Edhe pse në vetvlerësimin e tyre mbi njohuritë për ndryshimet klimatike, studentëti kanë vënë vetes nota të mirae shumë të mira (me nota nga 1-5). Në përgjigjet e studentëve mbi 20 qëndrimet që lidhen me: funksionimin e sistemit klimatik të Tokës, shkaqeve e pasojave të ndryshimeve klimatike si dhe masave për luftimin e ndryshimeve klimatike ka raste kur kanë treguar keqkonceptime bazike. Pasaktësia më e madhe lidhet me shpyllëzimin ku 85% e studentëve për fat të keq mendojnë se “prerja e pyjeve nuk ka ndikim në ngrohjen globale”, kur dihet se shpyllëzimi, pas shkarkimeve të gazeve me efekt serrë në atmosferëështë burimi sekondar pasi që zvogëlon sipërfaqen thithëse të bimëve për dioksidin e karbonit (CO2) në atmosferë. Gjithashtu keqkuptim i thellë është shprehur edhe te qëndrimi se “ndryshimet klimatike shkaktojnë ngrohjen globale” i përkrahur si e saktë nga ¾ e studentëve që d.m.th. se vetëm ¼ e dinë se ndodh e kundërta.

Keqkonceptime ka edhe lidhur me gazet që shkaktojnë efektin serrë. Studentët e hulumtimit nga tri gaze që kanë pasur të zgjedhin secili, saktë janë përcaktuar për CO2 dhe metanin (CH4). Por shumica ia kanë “huqur” me gazin e tretë të zgjedhur: dioksidin e sulfurit (SO2) i cili edhe pse është gaz ndotës primar i ajrit atmosferik, nuk ka efekt serrë.

Nga përgjigjet e studentëve të hulumtimit del se tri qëndrimi që ka pasur saktësinë më të madhe ishte qëndrimi se “ndryshimet klimatike ndikojnë në bujqësinë dhe ekonominë tonë” i përkrahur nga 95.1% e studentëve. Qëndrimi i dytë i përkrahur është se “ndryshimet klimatike kanë rritur incidencën e fatkeqësive natyrore nëpër botë” (nga 94.4%) dhe i treti qëndrimi se “luftën kundër ngrohjes globale e ndihmon gjelbërimi dhe pyllëzimi” i përkrahur nga 94.1% të studentëve.

Pjesa dërmuese e studentëve janë deklaruar se nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e ndonjë aktiviteti lidhur me mjedisin dhe ndryshimet klimatike as në fakultetin e tyre e as jashtë tij. Nevoja më e madhe e shprehur në lidhje me aktivizmin për mjedisin dhe ndryshimet klimatike është për më shumë njohuri nga mësimdhënësit e tyre (për 70% të studentëve), në vendin e dytë si nevojë është mbështetja nga universiteti apo kolegji për aktivitete mjedisore dhe ndryshimet klimatike (për 61.3% të studentëve), ndërsa në vendin e tretë është prioritizimi i problemeve të mjedisit dhe ndryshimeve klimatike nga institucionet qeveritare (60.3% e studentëve).

Porosia kryesore e hulumtimit për vendimmarrësit, institucionet e arsimit të lartë dhe mësimdhënësit universitar është që të trajtojnë më me seriozitet rritjen e përmbajtjes së ndryshimeve klimatike në kurrikula arsimore që do të shërbenin për përgatitjen e kuadrove me njohuri, shkathtësi, besim dhe vlera për një përballje me sfidën më të madhe mjedisore me të cilën po ballafaqohet Kosova por dhe mbarë planeti. 

Burimi: Telegrafi

No comments:

Post a Comment