Sunday, April 10, 2022

Me moton 'Planeti ynë, shëndeti ynë', shënohet Dita Botërore e Shëndetit në Kosovë

Me moton: “Planeti ynë, shëndeti ynë”, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës u shënua sot 7 Prilli, Dita Botërore e Shëndetit, ditë e cila shënohet në gjithë botën nga viti 1950. Shënimi i kësaj dite ka për qëllim vetëdijesimin për një prioritet shëndetësor të përzgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që do të përqendrojë vëmendjen në veprimet urgjente të nevojshme për të mbajtur njerëzit dhe planetin të shëndetshëm.

Dr. Arsim Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë tha se e drejta e secilit njeri për shëndet është një e drejtë themelore dhe universale. Por, kjo e drejtë, theksoi ai, cenohet nga shkaqe e faktorë të ndryshëm që ndikojnë mbi shëndetin, përfshirë faktorët mjedisor si ndryshimet e klimës, ajri i ndotur, djegia e lëndëve djegëse, furnizimi i dobët me ujë kualitativ, qasja jo-adekuate në rrjetet e kanalizimit, derdhja e ujërave të zeza, dietat jo të shëndetshme dhe përdorimi i alkoolit dhe ushqimit jo të shëndetshëm dhe faktorë të tjerë. Ai tha se reduktimi i faktorëve të rrezikut bëhet përmes  një ndërveprimi të gjithë akterëve duke vepruar si institucione, individë, sektor qeveritar e jo-qeveritar dhe me rritje të investimeve në shëndetësi.

“Në këtë drejtim, Ministria ka miratuar Planin e veprimit për promovim dhe edukim shëndetësor (2021) që synon promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe krijimin e shprehive, të cilat kanë ndikim në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.

Linda Qavdarbasha, zëvendësministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor the se 24 për qind të vdekjeve që shkaktohen në botë janë të lidhura me shkaqet mjedisore, prandaj, theksoi ajo, të gjithë duhet të bëjnë më shumë për ta përmirësuar shëndetin dhe faktorët që ndikojnë në të.

Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së tha se, sipas OBSh-së, mbi 90% e njerëzve thithin ajër të papastër që vjen nga djegia e lëndëve djegëse si thëngjilli, nafta, lëndë djegëse te kemikaleve të tjera. Ai theksoi se përderisa pandemia COVID-19 fuqizoi dijen e shkencës, ajo gjithashtu theksoi pabarazitë në botën tone dhe ka nënvizuar urgjencën e krijimit të shoqërive me mirëqenie të qëndrueshme të përkushtuara për arritjen e barazisë në shëndet tani dhe për brezat e ardhshëm pa shkelur kufijtë ekologjikë. 

Oleksander Martynenko, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se këtë Ditë Botërore të Shëndetit, OBSh po bën një thirrje urgjente për veprime të përshpejtuara nga drejtuesit dhe të gjithë njerëzit për të ruajtur dhe mbrojtur shëndetin dhe për të zbutur krizën klimatike.

“Në kohën e konfliktit të shtuar dhe brishtësisë që ne jemi përvoja në Evropë, po e përjetojmë më qartë se kurrë se  gjithçka është e ndërlidhur: problemet, zgjidhjet dhe ne, njerëzit që i shkaktojnë ato, që vuajnë prej tyre dhe që mund të bëjmë një ndryshim pozitiv”, tha ai.

Edhe nga shënimi i Ditës Botërore të Shëndetit, u është bërë thirrje qytetarëve të pa-vaksinuar që të vaksinohen me vaksinën kundër COVID-19 dhe të mos e ulin kujdesin për shkak se pandemia nuk ka përfunduar ende.


No comments:

Post a Comment