Me errësirën e netëve të ftohta të dimrit, në Prishtinë bie edhe një tym, me një aromë shumë të keqe, që sapo të dalësh nga dera e shtëpisë, e vëren menjëherë me anë të hundës apo fytit. Ky tym, vjen si pasojë e ndotjes së ajrit që ndodh çdo vit në Kosovë e në masë më të madhe, në kryeqytet. Ndonëse ka shumë faktorë që ndikojnë në ndotjen e ajrit, një nga shkaktarët më kryesorë janë njerëzit që shesin dhe përdorin qymyrin si lëndë djegëse për ngrohje. Edhe pse nuk është e lejuar me ligj shitja dhe përdorimi i thëngjillit, qytetarët prapë se prapë po e përdorin atë! Idenë për t’u ngrohur me thëngjill po e “përforcon” akoma më shumë fakti se tashmë është shtrenjtuar energjia elektrike dhe thirrjet e institucioneve janë që të kursehet rryma, e të mos përdoret për ngrohje.
Kështu, djegia e druve dhe qymyrit po mbetet alternativa më e lira dhe e vetme për t’u ngrohur në këto ditë ku temperatura po bien në minus gradë celsius, çdo ditë e më shumë, për ata qytetarë që nuk janë të kyçur me ndonjë sistem ngrohje, siç janë qytetarët e Prishtinës, disa prej të cilëve ngrohen përmes ngrohtores Termokos.
Në gjithë këtë cilësi të dobët të ajrit në Prishtinë, a ka ndonjë plan Ministria e Mjedisit që ta zbusë këtë dukuri, me ndonjë alternativë tjetër?
Syri.net Kosova ka disa ditë që po tenton të marrin përgjigje nga ministria në fjalë, por, një gjë e tillë ka qenë e pamundur, pasi, ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Pos ministrisë, edhe Komuna e Prishtinës, saktësisht Drejtoria e Inspeksionit është pyetur për rastet e evidentuara si përdorues të qymyrit në kryeqytet, sa i përket djegies, por, as nga kjo drejtori nuk kanë dhënë asnjë detaj, madje, as për gjobat e shqiptuara deri më tani!
Duke qenë se nuk kanë përgjigje për të dhënë, nënkuptohet se ndotja e ajrit dhe tendencat për rregullimin e këtij problemi, nuk janë fare të rëndësishme për këto institucione të lartcekura, që janë kompetente për këtë punë!
Nga ana tjetër, tashmë dihet se në Prishtinë jo gjithë qytetarët janë të kyçur në ngrohtoren e Termokosit.
Duke pasur parasysh faktin se nëse prishtinasit do ishin të kyçur në Termokos, ata nuk do të përdornin qymyrin si lëndë djegëse dhe do reduktohej ndotja e ajrit, Syri.net Kosova ka pyetur përfaqësuesit e kësaj ngrohtore se sa kanë kapacitet, që t’i lidhin qytetarët në rrjetin e ngrohtores.
Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokosit, i ka thënë Syrit se me kapacitetet aktuale që NP “Termokos” Sh.A. ka në dispozicion (140MWH nga dy blloqet e TC Kosova B) është e pamundur, që të furnizohet me ngrohje i gjithë qyteti i Prishtinës.
“Në përpjekje për të përmbushur misionin tonë si kompani, NP “Termokos”, SH.A., në vazhdimësi me kapacitetet ekzistuese dhe falë përkrahjes së donatorëve ndërkombëtarë, është duke realizuar projekte për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes dhe furnizimin me ngrohje për sa më shumë kryeqytetas. Me projektin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, që është në realizim e sipër, falë përkrahjes nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe Qeveria e Luksemburgut, në rrjetin e ngrohjes për herë të parë do të kyçen rreth 7.500 konsumatorë të rinj. Ndërkaq, tanimë janë zotuar mjetet edhe për projektin “Energjia solare për Kosovën/ Solaret e mëdha të Prishtinës”, nëpërmes të cilit do të sigurohet ngrohje edhe për një pjesë të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane”” tha ajo.
E pyetur se a do ta ndihmonte Termokosin shtrirjen e rrjetit pagesa e borxheve të pashlyera të qytetarëve, Uka tha se nëse qytetarët paguajnë, ata rrisin mundësinë e realizimin e shumë projekteve, që shërbejnë në të mirë të tyre.
“Fatmirësisht, ka vite që NP “Termokos” SH.A. ka arritur stabilitetin e saj financiar, për më tepër është nga kompanitë më të suksesshme lokale, që operon me profit, si rrjedhojë nuk rrezikohet funksionimi i saj. Mirëpo, borxhet që konsumatorët i kanë ndaj ndërmarrjes sonë paraqesin një kufizim shtesë për realizimin e projekteve tona, të cilat janë në funksion të përmirësimit të mëtutjeshëm të shërbimeve tona si dhe bashkëfinancimin e projekteve për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes. Apelojmë tek të gjithë ata konsumatorë, që kanë borxhe të pashlyera, që të paguajnë sa më shpejtë ato, duke rritur kështu mundësitë për realizimin e shumë projekteve, që janë për të mirën e përbashkët” ishin fjalët e saj.
Se me çfarë ajri të keq përballen qytetarët e Prishtinës, në këto ditë dimri, për Syri.net Kosova ka treguar eksperti i ambientit, Zeqir Veselaj.
Ai pos shpjegimit, tha se mbajtja e maskave antiCovid, ndihmojnë edhe për mosthithjen e materieve të dëmshme, që lirohen nga tymi, i shkaktuar nga përdorimi i thëngjillit.
“Resurset kryesore energjetike që sot përdorim në Kosovë për ngrohje bëjnë pjesë në ato që quhen resurse me karbon të rëndë, që d.m.th. se emitojnë shumë CO2 si gazi kryesor me efektin serrë por edhe ndotës tjerë prej të cilëve më të rrezikshëm për shëndetin publik janë thërrmijat e imta PM10 dhe PM2.5. Thërrmijat PM2.5 depërtojnë direkt në mushkëri pasi për shkak të dimensioneve shumë të vogla nuk ka asnjë barrierë në sistemin tonë të frymëmarrjes që mund t`i ndal. Javët e fundit, janë shpeshtuar mbrëmjet kur ajri në Prishtinë është i ndotur ose jashtëzakonisht i ndotur me PM2.5 që paraqet rrezik për shëndetin publik. Për ironinë e fatit, tashmë maskat kundër COVID 19 mund të na ndihmojnë edhe kundër ndotësve të ajrit që mund t`i ndalin, prandaj mbani maskat edhe për këtë arsye” tha profesori.
Veselaj ndër tjera theksoi se institucionet përgjegjëse kanë forma që ta ulin nivelin e ndotjes së ajrit, në gjithë Kosovën.
“Institucionet duhet të aplikojnë për forma të përkrahjes së qytetarëve për zvogëlimin e pjesëmarrjes së qymyrit si lëndë djegëse përveç se të arsyetohen se pse nuk po mund të bëjnë asgjë ose që po përgatisin letre e strategji joefektive. Forma e zgjidhje ka plot, por institucionet nuk janë duke punuar drejt tyre. Investimi në eficiencën energjetike të shtëpive si masë konkrete po bëhet nga donatorët si fondet e US Millenium Challenge Coorporation, por institucionet janë larg këtyre zhvillimeve. Investimet në energji të ripërtritshme me barrierat eë mëdha burokratike më shumë po pengohen se sa po përkrahen, prandaj investitorët e tillë po largohen. Dështimi i projektit të gazit është edhe një argument se mungon visioni se si të fillohet të trajtohet problem në mënyrë afatgjate dhe të qëndrueshme” tha Veselaj.
Se kosovarët do t’ia shohin sherrit përdorimit të thëngjillit, e ka thënë sot në seancën e kuvendit, Arben Gashi nga LDK, i cili theksoi se populli do vdes nga kanceri, pasi, për shkak se iu shtrenjtua rryma, do e përdorin qymyrin për ngrohje.
“Thëngjilli ka me i mbyt qytetarët. Ka me i mbyt kanceri. Kanë mu zhvesh malet e Kosovës. Diqysh duhet me u nxe. Luks me u ngroh u bë”, u shpreh ai.
Kujtojmë që ajri në Prishtinë, si kryeqytet i Kosovës, shpeshherë zë vendin e parë në botë, si ajri më i ndotur, duke kaluar edhe vende si Kina që ka popullatë e industri shumëherë më të madhe se Kosova.
Raporti: Erdonit HOXHA, Burimi i informacionit www.syri.net
No comments:
Post a Comment