Sunday, July 19, 2020

Lufta, Paqja dhe Uji

Nga Laura Tuck

Çdo shtet duhet të fillojë të zbatojë politikat e menaxhimit të ujit në mënyrë që të sigurojë një të ardhme pa konflikte dhe që i reziston sfidave të ndryshimit klimatik. Ky veprim do të sillte gjithashtu rritje të ekonomisë.

India po përballet aktualisht me krizën më të keqe të ujit ndër vite, ku rreth 330 milionë njerëz – një e katërta e popullatës – janë prekur nga thatësira. Etiopia po përballet gjithashtu me thatësirën më të madhe në dekada, që ka kontribuar tashmë në dështimin e shumë të mbjellave, duke krijuar mangësi në ushqim që tani ka prekur një të dhjetën e popullatës. Nën rrethana të tilla, rreziku i tensionit për burimet është i lartë.

Në të shkuarën, thatësira e kësaj shkalle kanë çuar në konflikt dhe madje në luftëra mes komuniteteve dhe shteteve. Një nga të parat e regjistruara në histori shpërtheu rreth 4500 vite më parë, kur qytet-shteti i Lagashit – ndodhur mes lumenjve Tigër dhe Eufrat në Irakun e ditëve të sotme – devijoi ujin nga fqinjët Uma. Konkurrenca për ujin shkaktoi incidente të dhunshme në Kinën e lashtë dhe nxiti destabilitet politik në Egjiptin faraonik.

Sot, luftërat mes vendeve mbi burimet e ujit janë të pazakonshme, kryesisht për shkak të përmirësimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Por, brenda vendeve, konkurrenca për ujin e pakët po bëhet një burim gjithnjë e më i madh destabiliteti dhe konflikti, veçanërisht ndërsa ndryshimi klimatik po rrit pasojat negative dhe frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit. Siç e detajojmë në raportin tonë të ri “Lart dhe Thatë: Ndryshimi Klimatik, Uji dhe Ekonomia”, mungesa e ujit pakëson zhvillimin ekonomik, shkakton migracion dhe nxit konflikt civil, që shkakton emigracion destabilizues.


Ky cikël ka qenë i dukshëm në disa rajone për dekada. Në Afrikën Nën-Sahariane, për shembull, periudhat e shirave të pakët mbi 20 vitet e fundit janë pasuar shpesh nga rritja e dhunës, luftërave civile dhe ndryshimi i regjimit. Dhe në shumë pjesë të Afrikës dhe Indisë rurale, një pakësim i shirave ka vepruar si “një faktor shtytës” për migracionin e brendshëm ose ndërkufitar në vende me bollëk uji, kryesisht në qytete, duke krijuar një presion të ri social tek numrat e personave të zhvendosur shtohen.

Në raportin tonë, parashikojmë se pamjaftueshmëria e ujit mund të veprojë si një shumëfishues i rrezikut të konfliktit, duke nxitur cikle të konflikteve prej burimeve, dhunë dhe zhvendosje, veçanërisht në rajonet si Lindja e Mesme dhe Saheli në Afrikë, ku bujqësia mbetet një burim i rëndësishëm i punësimit.

Fatmirësisht, ka një mënyrë për të shmangur ciklin e varfërisë, privimin dhe konfliktin. Nëse vendet veprojnë tani duke zbatuar politikat dhe praktikat e menaxhimit efektiv të ujit, mbështetur nga stimujt e projektuar mirë, ato jo vetëm që mund të pakësojnë mungesën e ujit, por edhe të shtojnë normën e rritjes ekonomike, deri në gjashtë për qind në vit.

Një vend me mangësi uji që ka vepruar për të përmirësuar përballimin e ndryshimit klimatik është Maroku. Në vite të shirave të pakët, autoritetet e shtratit të lumit të Marokut i dhanë prioritet të ulët ujitjes së bujqësisë, konsumatorit më të madh të ujit në vend. Por, sigurisht bujqësia mbetet kritike për të ushqyer popullatën. Ndaj qeveria ka investuar në modernizimin e infrastrukturës së ujitjes për t’i ofruar fermerëve shërbime më efikase të ujit duke i dhënë qasje më të lehtë ndaj ujit.

Autoritetet marokene po punojnë gjithashtu për të përmirësuar administrimin e ujërave nëntokësorë për të shmangur nxjerrjen e tepruar. Fermerët e bujqësisë së ushqyer nga uji marrin ndihmë që i lejon atyre të përdorin më mirë shirat – përmes praktikave si mbjellja e drejtpërdrejtë – që rezulton në rendiment më të madh sesa praktikat tradicionale gjatë viteve të thatësirave.

Mesazhi nga Maroku – dhe nga raporti ynë – është se, me politika dhe ndërhyrje të zgjuara të ujit, vendet mund të sigurojnë një të ardhme që i reziston ndryshimit klimatik dhe që ka siguri ujore. Në thelb të strategjive të menaxhimit të ujit do të jetë përmirësimi i planifikimit të  alokimit të burimeve ujore, adoptimi i stimujve për rritjen e efikasitetit, investimi në infrastrukturë për përmirësimin e sigurisë së ujit dhe planifikim më i mirë urban, menaxhim i krizës dhe angazhim qytetar. Paneli Ndërkombëtar i Nivelit të Lartë të Ujit, i krijuar së fundmi, i përbërë nga dhjetë krerë shtetesh, do të promovojë pikërisht këtë axhendë për menaxhim më të mirë të ujit në shkallë globale.

Sigurisht, jo çdo vend do të ndjekë të njëjtën rrugë në arritjen e një të ardhme të sigurisë së ujit. Por, teksa vendet zhvillojnë strategjitë e tyre, ato mund të hedhin vështrimin nga njëra-tjetra për ide dhe të dhëna në atë që funksionon dhe jo. Me veprim të fortë dhe të vazhdueshëm, qeveritë kudo në botë mund të përshtaten më së miri me kufizimet natyrore dhe pasiguritë që prekin burimet ujore, duke u siguruar se njerëzit dhe ekonomitë e tyre janë të përgatitur për atë që u shtrihet përpara.

Burimi i informacionit: https://www.project-syndicate.org/commentary/water-management-political-instability-by-laura-tuck-2016-05/english?barrier=accesspaylog

Përshtatur në shqip nga: https://www.reporter.al/lufta-paqja-dhe-uji/


No comments:

Post a Comment